LVV nuk merr pjesë në seancën e kuvendit për rritjen e pagës së policëve të Kosovës

19/10/2023 11:26

Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, ku po shqyrtohet një projektrezolutë për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga partitë opozitare. Edhe një tjetër seancë për këtë çështje ishte thirrur më 12 tetor, por dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit, pasi deputetët e LVV-së e bojkotuan atë.

Rashit Qalaj deputet nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, tha se Policia e Kosovës është duke punuar në kushte të rënda dhe kjo sipas tij nuk duhet lejuar.

“Nga hyrja në fuqi, më 5 shkurt 2023, e Ligjit për paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre dhe të familjeve, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave që kanë marrë policët e Kosovës ka qenë 16 milionë euro, ose 1.3 milion euro në muaj”, tha ai.

Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Në bazë të Ligjit, pagat për zyrtarë të policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje policia e ka quajtur minimale.

Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

Zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, javën e kaluar kanë thënë se tendenca e PDK-se, nuk ka të bëjë më gjendjen e policisë, por synim i tyre, është “pushteti dhe jo interesi i shtetit”. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA