Aventurës së Di Marias me kombëtaren e Argjentinës po i vjen fundi.
Federata e Argjentinës nuk do të jetë në gjendje ta llogarisë Angel Di Marian për Botërorin e ardhshëm në vitin 2026. Këtë e ka bërë të ditur vetë Di Maria gjatë një interviste të dhënë për “Todo Pasa”. Copa America 2024 do të jetë turneu i fundit ndërkombëtar ku Di Maria do të marrë pjesë me Argjentinën. 35-vjeçari ka bërë të ditur se tashmë e ka marrë vendimin e tij dhe se do të bëjë gjithçka për të marrë pjesë në turneun që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 20 qershor deri më 14 korrik.
“Kupa e Amerikës do të jetë turneu im i fundit dhe në fund të kompeticionit do të them lamtumirë. Transferimi te Benfica më dha mundësinë të vazhdoj të luaj në një nivel të mirë për të qenë pjesë e kombëtares. Do të bëj gjithçka për të qenë në Kupën e Amerikës për të bërë paraqitjen time të fundit”.
Angel Di Maria iu bashkua kombëtares së Argjentinës në vitin 2008, kur ishte vetëm 20 vjeç. Që atëherë ai ka luajtur në 134 ndeshje, duke u bërë lojtari i katërt me më shumë ndeshje në historinë e “Albicelestes” (pas Messit, Mascheranos dhe Zanettit). Di Maria mori pjesë në katër edicione të Kupës së Botës (2010, 2014, 2018 dhe 2022) dhe fitoi një Kupë Bote (në 2022) dhe një Kupë të Amerikës (në 2021). /Supersport
Top Channel