Në kohën kur sytë e botës janë spostuar në Lindjen e Mesme, Rusia riktheu gjatë natës sulmet shkatërrimtare në Ukrainë.
Raketat e saj kanë shënjestruar zona rezidenciale në Zaporizhja, duke vrarë e plagosur një numër njerëzish, pohuan autoritetet lokale ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky, tha se “terrori rus duhet të marrë fund”.
Anatoliy Kurtev, kryetar bashkie i Zaporizhës, shkroi në Telegram se gjashtë shpërthime goditën qytetin, pasi guvernatori rajonal urdhëroi lëshimin e alarmeve paralajmëruese për sulme ajrore.
“Raketat e terroristëve sulmuan qytetin, infrastrukturën dhe një ndërtesë banimi. Tetë banesa u shkatërruan. Ka të vrarë dhe të plagosur. Shumë njerëz janë nën rrënoja”, shkroi Zelensky në Facebook.
Alarmet për sulme ajrore janë lëshuar edhe në Dniporpetrovsk, Kherson dhe Mikolajiv. Moska pretendon nga ana tjetër se ka zmbrapsur sulme me dronë nga Ukraina anë Krimenë e pushtuar dhe në dy rajone ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kanë rrëzuar 28 dronë që sulmuan rajonet Kursk dhe Belgorod, si dhe Krimenë.
Një ditë më herët, presidenti ukrainas tha se shteti i tij ka përdorur Sistemin e raketave taktike, që njohur si ATACMS, që është i prodhimit amerikan, në sulmet që shkatërruan nëntë helikopterë ushtarakë rusë, një depo municionesh dhe një sistem të mbrojtjes ajrore.
Top Channel