“Isha te terapia e djalit”/ Rama akuzoi protestuesit se e sollën në Parlament, shqiptarët mbledhin brenda pak orësh 151 mijë dollarë për nënën dhe të birin me autizëm
Federata Shqiptare e Skive organizoi në Tiranë mbrëmjen gala “The Ski Excellence Night”, një aktivitet kushtuar sezonit më të suksesshëm në historinë e skive shqiptare.
Mbrëmja, e organizuar nga Federata Shqiptare e Skive e udhëhequr nga presidenti Elvis Toçi, dhe sekretarit të përgjithshëm Etrit Xhuglini, bëri bashkë sportistë, trajnerë, drejtues institucionesh, partnerë dhe përfaqësues të medias për të vlerësuar arritjet që e kanë vendosur Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sporteve dimërore.

Në qendër të ceremonisë ishte suksesi historik i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku vendi ynë u përfaqësua për herë të parë me katër sportistë të kualifikuar: Lara Colturi, Denni Xhepa, Semire Dauti dhe Lisa Brunga.

Protagonistja absolute e mbrëmjes ishte Lara Colturi, e cila u shpall “Sportistja e Vitit”, si vlerësim për një sezon të jashtëzakonshëm me shtatë podiume në Kupën e Botës dhe një debutim mbresëlënës olimpik, ku u rendit mes dhjetë më të mirave në botë. Vlerësimi i saj simbolizoi rritjen e skive shqiptare në nivelin më të lartë ndërkombëtar.

Një vend të rëndësishëm në ceremoni zuri edhe vlerësimi për partnerët e medias, të cilët kanë kontribuar në promovimin e sporteve dimërore në Shqipëri. Çmimi kryesor në këtë kategori iu akordua dokumentarit “Milano-Cortina 2026 / Zgjimi i një kombi”, të transmetuar në rubrikën “Exclusive” dhe të realizuar nga gazetari i Top Channel, Endi Tufa.
Po ashtu, Federata Shqiptare e Skive vlerësoi Top Channel, si median që ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e skive në vend. Mes të tjerave u theksua fakti që kjo media dhe gazetari i sajë i sportit Endi Tufa, ka ndjekur nga afër rrugëtimin e Lara Colturit që nga momenti kur ajo zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë, duke pasqyruar çdo hap të karrierës së saj deri në shndërrimin në një prej emrave më të rëndësishëm të skive alpine botërore.

“The Ski Excellence Night” konfirmoi se sportet dimërore shqiptare po jetojnë periudhën më të artë të historisë së tyre, ndërsa sukseset e arritura në arenën ndërkombëtare po shoqërohen edhe me një mbështetje gjithnjë e më të madhe institucionale dhe mediatike.
Top Channel