“Evakuohuni urgjentisht”! Zjarret në Francë dhe Spanjë dalin jashtë kontrollit, thatësira dhe erërat e forta vështirësojnë situatën

24/07/2026 17:00

Dhjetëra mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga zonat e prekura nga zjarret masive në Francën jugperëndimore dhe pranë Madridit në Spanjë, ndërsa autoritetet po përballen me flakë që vazhdojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave të forta.

Në Francë, autoritetet urdhëruan evakuimin e të gjithë gadishullit Cap Ferret, në bregdetin jugperëndimor, ku rreth 40 mijë persona janë larguar ose janë në proces evakuimi. Qindra prej tyre u transportuan me anije drejt Arcachonit, ndërsa të tjerë u larguan përmes rrugëve tokësore.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri, i cilësuar si një “zjarr XXL”, ka djegur rreth 10 mijë hektarë tokë që nga e marta. Deri më tani janë shkatërruar 53 shtëpi dhe një kamping, ndërsa falë ndërhyrjes së zjarrfikësve janë shpëtuar rreth 2 mijë banesa.

Ndërkohë, në Spanjë, qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare pasi zjarret pranë Madridit kanë dalë jashtë kontrollit, duke detyruar evakuimin e më shumë se 19 mijë personave. Vatrat kryesore të zjarrit ndodhen në Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias, në perëndim të kryeqytetit.

Presidentja e rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e përshkroi situatën si “zjarrin më të keq në historinë e rajonit”, duke theksuar se temperaturat ekstreme, erërat e forta dhe bashkimi i disa fronteve të zjarrit kanë krijuar një situatë të paprecedentë. Ajo tha se prioriteti kryesor mbetet shpëtimi i jetëve.

Edhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e cilësoi situatën si dramatike dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.

Shefi i zjarrfikësve dhe shpëtimit në Francë, Marc Vermeulen, deklaroi se flakët janë përhapur me shpejtësi të pazakontë gjatë natës, duke djegur deri në 800–1.000 hektarë në orë. Ai theksoi se kushtet aktuale janë edhe më të rënda se gjatë zjarreve të mëdha të vitit 2022, pasi rajoni po përballet me një thatësirë shumë më të theksuar.

Top Channel