Pasditen e sotme një sherr për motive të dobëta, ka përfunduar me goditjen e 36-vjeçarit me iniciale E. Gj. me qytën e pistoletës.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shkallnur, teksa autorë janë dy persona, mes tyre një person në kërkim, e që më pas kanë marrë arratinë.
Dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
“Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë”, njofton policia.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Top Channel