“Gati për këtë mision të veçantë”, ambasadori i ri i Meksikës nis mandatin dhe takon drejtuesit shqiptarë, Valencia për Top Channel: Vij në një qytet shumë të bukur

24/07/2026 15:43

Genaro Fausto Lozano Valencia ka nisur mandatin si ambasador i Meksikës në Shqipëri. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri, moment gjatë të cilit u shprehën edhe vlerësimet për marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Meksikës.

Mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, ambasadori u prit edhe nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e mbajtjes së kontakteve të rregullta të nivelit të lartë dhe forcimit të dialogut politik.

Në një intervistë për Top Channel, ambasadori Genaro Fausto Lozano Valencia ndau objektivat kryesore të vizitës së tij në Shqipëri.

“Jam këtu për të nisur misionin tim si ambasador i Meksikës në Shqipëri. Jam shumë i entuziazmuar që të punoj si përfaqësues i Meksikës. Po ashtu jam këtu për të takuar komunitetin meksikan. Sot kishim një mbledhje të këndshme. Është një komunitet i vogël, por shumë mirë i integruar në Shqipëri. Ndaj jam shumë i lumtur që misioni im nisi tashmë dhe që po njoh këtë vend të bukur dhe Tiranën, që është një qytet mjaft i bukur”, u shpreh ambasadori i ri.

Ambasadori shprehu edhe mesazhin e tij ndaj komunitetit meksikan në vendin tonë, duke i cilësuar ata si përfaqësuesit më të mirë të kulturës meksikane.

“Dua t’i them komunitetit meksikan që nuk janë vetëm. Presidentja Claudia Sheinbaum na ka kërkuar që të jemi afër komunitetit tonë kudo në botë. Jemi shumë krenarë që vetë komuniteti meksikan na përfaqëson në mënyrë dinjitoze. Ata janë ambasadorët më të mirë.

Kanë mundësinë që ta njohin më mirë vendin dhe t’u tregojnë shqiptarëve për kulturën meksikane, për ushqimin, ngrohtësinë dhe mikpritjen tonë, ashtu siç edhe populli shqiptar i ka këto vlera. Jam shumë i lumtur që e takova komunitetin meksikan”, u shpreh Genaro Fausto Lozano Valencia, ambasador i ri i Meksikës në Shqipëri.

Mandati i ambasadorit të ri pritet t’i japë një shtysë të re forcimit të dialogut politik, si edhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor dhe turistik mes dy vendeve.

Top Channel