Sulm me raketa në Ukrainë, të paktën 15 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Kievi përgjigjet duke shkatërruar një nga objektet më të rëndësishme ushtarake ruse

24/07/2026 18:54

Të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në sulmet e fundit ruse ndaj Ukrainës. Një nga goditjet më të rënda ishte ajo me raketa balistike pranë Kievit, ku u godit një ekspozitë e teknologjisë së dronëve, duke shkaktuar 10 viktima dhe rreth 100 të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmi ndodhi gjatë ditës dhe se në aktivitet merrnin pjesë figura të rëndësishme të sektorit të mbrojtjes. Autoritetet ukrainase kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e organizimit të eventit dhe masat e sigurisë të marra.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore ukrainase, Yuri Ihnat, tha se sulmi pranë Kievit u krye me tre raketa balistike, nga të cilat vetëm njëra u arrit të interceptohej.

Mes personave për të cilët pati shqetësime pas sulmit ishin këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes, Serhiy Beskrestnov, i njohur si “Flash”, dhe ekspertja e teknologjisë ushtarake Lyuba Shypovych. Të dy konfirmuan më vonë se ishin të sigurt. Beskrestnov tha se nuk kishte marrë pjesë në aktivitet për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Ndërkohë, në qytetin lindor të Ukrainës, Sloviansk, pesë persona të tjerë u vranë nga bombardimet ruse.

Nga ana tjetër, Ukraina ka kryer sulme në territorin rus. Një goditje gjatë natës në qytetin Kirov, mbi 1 mijë kilometra larg vijës së frontit, shkaktoi gjashtë viktima dhe 26 të plagosur, sipas autoriteteve ruse.

Zelensky tha se Ukraina kishte goditur një nga objektet më të rëndësishme ushtarake në Kirov, i cili furnizon komponentë për avionë dhe pajisje raketore të përdorura në sulmet kundër Ukrainës. Gjithashtu, u raportuan sulme ndaj disa magazinave të kompanisë ruse të tregtisë online “Wildberries”.

Kievi deklaron se sulmet ndaj qendrave logjistike ruse synojnë të pengojnë furnizimet që mund të përdoren nga ushtria ruse. Sulmet ndaj objekteve të “Wildberries” kanë prekur edhe shumë biznese të vogla dhe të mesme që operojnë përmes kësaj platforme.

Ndërkohë, në Rumani, presidenti Nicusor Dan bëri të ditur se një avion luftarak rumun F-16 rrëzoi një dron rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Autoritetet rumune kishin aktivizuar më herët alarmet në disa zona lindore dhe juglindore të vendit.

Sulmet e fundit vijnë në një periudhë përshkallëzimi të luftimeve, ndërsa Rusia dhe Ukraina vijojnë goditjet me raketa dhe dronë në thellësi të territoreve përkatëse.

Top Channel