Refuzohet oferta 100 milionë euro e Real Madridit, Leipzig bllokon transferimin e Diomandé
Como bëhet një nga skuadrat e para në botë që ndalon përdorimin e goditjes me kokë në ekipet e saj të moshave (Akademi).
Kjo është një masë e propozuar kohë më parë në botën e futbollit për të luftuar pasojat afatgjata të mikro-traumave në tru.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi italian shpjegon vizionin e tij të ri për të rinjtë: “Como konfirmon sot një udhëzues të ri për të gjithë Akademinë mbi menaxhimin e goditjeve me kokë, i konceptuar për të reduktuar goditjet e shmangshme, për të mbrojtur mirëqenien e lojtarëve dhe për të favorizuar një zhvillim teknik më efikas në planin afatgjatë. Ndryshimet reflektojnë një ide të thjeshtë: të mbrojmë në radhë të parë lojtarët e rinj, për t’ua mësuar më pas goditjen me kokë në mënyrë të kontrolluar kur të jenë gati.”
Sipas rregullave të reja, në grupmoshat më të vogla, vëmendja do të përqendrohet te kontakti me topin, aftësia vendimmarrëse dhe loja efektive, duke ndërtuar besim dhe teknikë hap pas hapi. Como 1907 thekson se do të menaxhojë me kujdes ekspozimin ndaj goditjeve me kokë edhe në prag të ndeshjeve, duke u kërkuar trajnerëve të shmangin ngarkesat e panevojshme në stërvitjet menjëherë para dhe pas sfidave.
Për këtë vendim historik foli edhe ish-mbrojtësi i njohur, Raphaël Varane, i cili tashmë mban postin e anëtarit të Bordit të Edukimit te Como 1907: “Kam folur disa herë për domosdoshmërinë e trajtimit me seriozitet të goditjeve në kokë në futboll dhe për rëndësinë absolute të mbrojtjes së fëmijëve tanë. Për lojtarët e rinj, qasja më e mirë bazohet te rregullat e qarta, formimi i duhur, ndërgjegjësimi dhe një kulturë ku mirëqenia dhe siguria vijnë të parat. Ky udhëzues redukton kontaktet e panevojshme në moshat më të vogla, kur truri është ende në fazë zhvillimi, dhe më pas u mëson teknikën e goditjes me kokë në mënyrën e duhur, hap pas hapi dhe me kontroll.”
Top Channel