Polonia u gjet në një periudhë pasigurie politike të hënën pasi polakët votuan në një numër të madh në zgjedhjet e së dielës, në të cilat partitë opozitare duket se fituan shumicën.
Por, partia konservatore nacionaliste në pushtet fitoi më shumë vota se çdo parti veç e veç, dhe tha se do të përpiqet të vazhdojë të qeverisë vendin.
Rezultatet përfundimtare nuk janë shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Por agjencia Ipsos publikoi një të ashtuquajtur anketë të vonuar të hënën në mëngjes, që kombinon rezultatet e një ankete të kryer gjatë zgjedhjeve të së dielës dhe 50 për qind të votave të numëruara.
Sipas kësaj ankete partia konservatore nacionaliste në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, fitoi 36.6 për qind të votave, Koalicioni Qytetar i opozitës i udhëhequr nga ish kryeministri dhe ish presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk doli me 31 për qind, koalicioni qendror Rruga e Tretë me 13.5 për qind, Partia e Majtë me 8.6 për qind dhe Konfederata e ekstremit të djathtë me 6.4 për qind.
Që një qeveri të funksionojë dhe miratojë ligje, duhen të paktën 231 vende në dhomën e ulët prej 460 vendesh të parlamentit.
Sipas agjencisë Ipsos, partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi e Jaroslaw Kaczynskit duket se ka marrë 198 vende, një rënie e mprehtë nga shumica e ngushtë që ka mbajtur për tetë vitet e fundit. Edhe me partinë e ekstremit të djathtë, Konfederata, nuk do të siguronte dot shumicën.
Megjithatë, menaxheri i fushatës së partisë, Joachim Brudzinski, tha të hënën në mëngjes në një intervistë në radio transmetuesin RMF FM se partia e tij është fituese dhe do të përpiqet të formojë një qeveri të udhëhequr nga kryeministri Mateusz Morawiecki.
Anketa la të kuptohet se 248 vende, që do të thotë një shumicë në parlament, mund të themelohet nga Koalicioni Qytetar, Rruga e Tretë dhe e Majta së bashku.
Komisioni Zgjedhor tha se rezultati përfundimtar pritet të shpallet deri të martën në mëngjes. /VOA
Top Channel