Përgjaken rrugët në vend, një viktimë dhe nëntë të plagosur në gjashtë aksidente brenda 12 orësh Megaoperacionin “Flakë në det”, ku ranë në pranga disa persona, mes të cilëve edhe shefi i Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, gazetarja Dorjana Bezat e cilëson një fluskë, pasi nuk u ndaluan vërtet persona të inkriminuar.
“Ky operacion i madh për mua kishte vetëm emrin, pasi rezultoi të ishte një fluskë, sepse patëm vetëm një shef komisariati të arrestuar, për të cilin nuk u bë ndonjë hetim i thellë për ta parë që ishte i inkriminuar, për sa kohë që në mes të qytetit dhe në mes të ditës rrinte me persona të inkriminuar. Më pas, përgjimet nxorën detaje të tjera, që e vunë nën akuzë”, tha Bezat këtë mbrëmje në Top Story.
Sipas saj, veliera gjigante, brenda së cilës kishte lëndë narkotike, nuk u kap nga radarët:
“Gjashtë persona të arrestuar që në gusht, të cilët falë bashkëpunimit me Guardia di Financa-n dhe Interforce Italia-n u kapën në mes të detit me gomone. Kishin një velierë super të madhe që hyri në territorin shqiptar, pa u parë nga askush, pa leje, 12 milje nga bregu. E priste një gomone, që u nis nga laguna e Patokut, e ngarkuar me kanabis, që në 12 milje det do të shkëmbehej me kokainë. Kur u vu re se ishte në ndjekje të policisë, autorët i vunë zjarrin velierës dhe u përpoqën të arratisen, por falë ndjekjes nga Guardia di Financa dhe Policisë Shqiptare u vu në pranga dhe policia gjeti vetëm 12 kilogram kanabis, të cilat i shpëtuan djegies dhe nuk ikën në fund të detit si veliera. Pra, në duar të drejtësisë shqiptare, ne sot kemi vetëm 6 persona, 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas, që bënin shkëmbimin, këtë shefin e komisariatit të Laçit”.
Gazetarja e Top Channel tregon se si shefi i Komisariatit konsumonte i qetë kafe me Gëzim Çelën.
“Në duar të SPAK-ut është një video, e sekuestruar që prej gushtit, në një bar kafe në zonën e Fushë Kuqes, që e kishte në pronësi Gëzim Çela dhe aty në mes të ditës, ai konsumonte kafe, pavarësisht se ishte një person i shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, ishte një subjekt i OFL-së. S’mund të themi se ai nuk e kishte idenë për ngarkesën penale që kishte miku i tij”.
Operacioni “Flakë në det”
Ditën e djeshme, GJKKO la nën arrest me burg Dritan Metën, i cili u arrestua dy ditë më parë. Në pranga ra gjithashtu edhe “baroni i drogës”, Gëzim Çela, banues në Fushë Kuqe, Arben Dalipaj dhe Roland Guza.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, municione luftarake, një sasi e madhe parash të valutave të ndryshme, 25 celularë, si dhe 25 kg kanabis të gjetura në det në afërsi të vendit ku u fundos veliera dhe një gomone.
Policia thotë se trafikantët që ndodheshin në velierë, sapo kanë pikasur se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.
Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.
Mjeti u nis nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin dhe u afrua pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.
Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.
Top Channel