Pamjet nga operacioni “Flakë në det”/ Do shkëmbenin drogën në det, ja si trafikantët dogjën velierën sapo panë policinë

16/08/2023 12:20

Këto pamje janë të megaoperacionit ndërkombëtar anti-drogë të zhvilluar një dimë më parë në detin Adriatik, të koduar “Flakë në det”.

Policia thotë se trafikantët që ndodheshin në velerie, sapo kanë pikasur se ishin rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi, por janë kapur në flagrancë.

Në operacion u përfshinë efektivë dhe mjete të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, si dhe Reparti Special “RENEA”. Operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit, është koordinuar dhe mbështetur nga Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex.

Mjeti u nis nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin dhe u afrua pranë një tjetër mjeti lundrues tip veliere dhe më pas shtetasit që ishin në këto mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në operacion u përfshinë avionët e Frontex-it dhe të GDF-së, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjetet e GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e veleries.   Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e Repartit Special “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.

Gjithashtu, në vijim të ketij operacioni policor, u shoqëruan në ambientet e DVP Tiranë, 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapën në afërsi të velieres.

Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”, shtetasit:

Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë;

Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë;

Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;

Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë;

Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç, banues në Ukrainë;

Kostiantyn Biellon, 44 vjeç, banues në Ukrainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri pistoleta, të markave “Glock” dhe “Zastava”;  200 fishekë pistolete model 54;  një automjet tip “Audi”; 4 aparate DVR për ruajtjen e pamjeve filmike;  45 000 euro, 250 000 lekë, 500 paund, 50 franga, 2 000 lira, 25 celularë;  sasia 23 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e gjetur në afërsi të velierës së djegur; 1 mjet lundrues tip gomone, bashkë me GPS-in.

Ndërsa mjeti lundrues veliere është zhytur në thellësinë rreth 150 metra, në detin Adriatik.

Top Channel