Në mbyllje të kursit për drejtorët sportivë të klubeve shqiptare, ishte i pranishëm drejtori sportiv i skuadrës së Interit të Serisë A, Piero Ausilio.
Prej rreth një dekade në krye të projektit sportiv të zikaltërve të Milanos, ai ka treguar përpara drejtorëve sportiv të klubeve tona se si kanë evoluar gjërat në karrierën e tij dhe se si funksionojnë ato në futbollin e madh europian. Më pas përshtypjet e tij për Shtëpinë e Futbollit, trajnerin e kombëtares dhe futbollin shqiptarë.
“Kam mbetur jashtëzakonisht i surprizuar nga struktura e re e shtëpisë së futbollit që keni dhe gjithashtu mendoj që është një zgjedhje mjaft e mirë kjo e trajnerit të kombëtares suaj Sylvinho, të cilin e njoh personalisht pasi kemi punuar tek Interi bashkë. Është një kulturë e madhe kjo e të sjellurit një teknik nga jashtë pasi dikush që vjen nga jashtë ka diçka të mirë për t’ju ofruar gjithmonë. Ndërkohë sa i përket futbollit të klubeve luajtëm me Egnatian në fillim të sezonit dhe na vuri në vështirësi, cka tregon se ishte një skuadër e organizuar”, u shpreh Ausilio.
Nuk mund të mungonte ndaj Ausiolios edhe një pyetje për mesfushorin kuqezi Kristjan Asllani pjesë e skuadrës së Interit.
“Asllani është zgjedhur të qëndrojë pasi është një djalë i ri dhe trajneri beson shumë tek ai. Ka pak eksperiencë dhe ne shitëm Brozoviç për t’i hapur rrugë Asllanit, por përpara tij është Calhanoglu që ka shumë eksperiencë dhe duhet të vazhdojë të përmirësohet dhe të rritet ashtu sikurse po bën”.
Në përfundim të ligjëratës së tij të gjithë përfaqësuesit e klubeve shqiptare të disa kategorive, jo vetëm të asaj superior morën certifikatat e tyre për kursin, i cili kishte startuar më 13 shtator dhe përfundoi sot më 10 tetor.
Top Channel