Inter kërkon më shumë gola në janar, në listë edhe sulmuesi i Shqipërisë

10/10/2023 09:30

Me 21 gola të shënuar në tetë javë të Serie A, Inter ka sulmin më të mirë në Itali. Megjithatë, trajneri Simone Inzaghi nuk është i bindur.

Fjala nuk është për Lautaro Martinez dhe Marcus Thuram, krejtësisht të justifikuar në këtë fillim të sezonit. Tekniku i zikaltërve nuk i beson stolit dhe altrnativave në repartin ofensiv, teksa deri më tani si Alexis Sanchez, ashtu dhe Marko Arnautovic nuk e kanë gjetur rrugën e rrjetës, madje austriaku për momentin është i dëmtuar.

Ndaj, në janar drejtuesit do të tentojnë të forcojnë organikën. I pari në listë është Mehdi Taremi, sulmuesi i Portos për të cilin u fol shumë edhe në verë. Megjithatë, përveç iranianit, në listën zikaltër është edhe emri i Armando Brojës. Inter e ndjek sulmuesin e Shqipërisë prej kur ai aktivizohej në Holandë me Vitessen.

Dëmtimi në gju e la disi në hije 22-vjeçarin, megjithatë Broja tashmë është rikthyer, madje duke fituar edhe fanellën e titullarit në Londër me Chelsean. Te Inter do e ndjekin me kujdes progresin e tij deri në janar dhe nuk përjashtohet një interesim konkret i italianëve. Formula do të ishte ajo e huazimit dhe sipas Gazzeta Dello Sport, Broja cilësohet një “okazion” i vërtetë në merkato. /Supersport

Top Channel