Armando Broja nuk është stërvitur me ekipin pasditen e sotme në seancën e dytë stërvitore që u zhvillua në “Shtëpinë e Futbollit” duke shqetësuar jo pak stafin kuqezi gjatë përgatitjeve për ndeshjet me Çekinë dhe miqësorja me Bullgarinë, siç raporton gazetari ynë Endi Tufa.

Gjatë ditës së parë të stërvitjes ai ka ndjerë një dhembje në gjurin e tij të rikuperuar tashmë dhe menjëherë ka ndaluar duke evituar ende në këtë ditë të dytë stërvitjen për arsye sigurie. I menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit mjekësor i cili ka nxituar t’i bëjë një rezonancë për të kuptuar më tepër situatën.

Rezultati i saj ka qenë pozitiv dhe gjithçka duket të jetë qetësuar edhe pse ai mungoi në këtë seancë të dytë stërvitore.

Një tjetër mungesë në seancën e dytë stërvitore të plotë në Tiranë, ka qenë Keidi Bare gjithashtu i stërvitur në mënyrë të diferencuar duke qenë se edhe ai ka patur disa shqetësime fizike.

Ndërkohë që i vetmi që mungon në këtë grumbullim deri më tani është Klaus Gjasulam i cili ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 17:00 dhe i është bashkuar vetëm sot ekipit, ndërkohë që do të ketë mundësi të zhvillojë vetëm një seancë stërvitore duke e bërë edhe ai thuajse të pamundur aktivizimin.

Ai ka patur një problem shëndetësor për të cilin po kurohet dhe nuk ka qenë në gjendje 100% fizike, për këtë arsye edhe mbërritja e tij ka qenë kaq e vonë.

Një situatë jo shumë edhe të qetë në ekipin kuqezi në këtë prag-ndeshje me disa lëndime që edhe pse të lehta, nuk kanë kaluar pa shqetësimin dhe vëmendjen e duhur. Gjithsesi këto episode nuk kanë ndikuar në atmosferën pozitive që po e karakterizon ekipin tone këto ditë.

Top Channel