Risi në listën e Sylvinhos, afrohet një sulmues nga Serie A

06/10/2023 09:20

Më datë 12 tetor, Shqipëria luan një finale të vërtetë në Air Albania aty ku pret Çekinë.

Një fitore do t’i afronte edhe më shumë kuqezinjtë me Europianin e vitit 2024 që zhvillohet në Gjermani. Trajneri Sylvinho pritet që gjatë ditës së premte të zyrtarizojë listën me lojtarët e grumbulluar për këtë ndeshje ndërsa nuk mungojnë risitë.

Një i tillë konsiderohet padyshim grumbullimi i sulmuesit që aktivizohet në Serie A me Frosinonen, Marvin Çuni. 22-vjeçari që kaloi këtë verë në elitën italiane nga skuadra e dytë e Bayern Munich, ka fituar minuta dhe është aktivizuar në gjashtë nga shtatë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Serie A, dy prej të cilave i ka nisur si titullar (ato ndaj Napolit dhe Romës).

Çuni bëhet për herë të parë pjesë e ngjyrave kuqezi ndërsa do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Sylvinho në repartin ofensiv. Ndërkohë, pritet që në këtë grumbullim të rikthehet edhe Armando Broja i cili ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen e fundit me Chelsean gjeti edhe rrugën e rrjetës.

Vlen të theksohet se për Brojën do të jetë grumbullimi i parë nën urdhrat e Sylvinhos. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA