Lirimi i Radojçiçit/ Reagime të ashpra në Kosovë: Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve

04/10/2023 15:08

Organizatori i sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës, Milan Radojçiç është liruar nga masa e ndalimit.

Gjykata e Lartë në Beograd pas marrjes në pyetje vlerësoi se i njëjti nuk paraqet rrezik për largim nga vendi dhe rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Beogradit për masën e paraburgimit.

Gjykata i caktoi masën e sigurisë së paraqitjes në stacionin e policisë në datat 1 dhe 15 të çdo muaji, i mori pasaportën dhe i ndaloi hyrjen në Kosovë.

Kjo manovër e Serbisë, në Kosovë shihet si fshehje e terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës e vranë rreshterin Afrim Bunjakun.

“Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës dhe terroristëve“, u shpreh ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Vënia përpara drejtësisë për Milan Radojçiçin duke se do të jetë e lehtë në Beograd meqë mbi të rëndojnë veprat penale për posedim, blerje e trafikimin i armëve pa leje dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërkohë, Kosova nuk do të mund ta ekstradojë atë për veprën penale të terrorizimit, për të cilën edhe po hetohet fillimisht.

“Mundësi tjetër është që Kosova të lëshojë një fletë arresti ndërkombëtare, në mënyrë që t’ua kufizojë lirinë e lëvizjes këtyre personave, që nëse përpiqen të hyjnë në territorin e shteteve të tjera të arrestohet“, tha Ehat Miftaraj nga Institui i Kosovës për Drejtësi.

Gjithçka mund të bëjnë institucionet e drejtësisë në Kosovë është ta gjykojnë Milan Radojçiç dhe grupin terrorist në mungesë.

“Edhe ky gjykim në mungesë nuk do të ketë vlerë nëse ne e shpallim fajtor, por ai nuk vihet para drejtësisë”, shtoi Miftaraj.

Më 24 shtator në Banjskë të komunës së Zveçanit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist me në krye Milan Radojçiç. Që atëherë nga hetimet doli se grupi kishte për qëllim që përmes 37 pikave të sulmit të krijonte një korridor në thellësi të komunës duke mundësuar futjen e më shumë armatimi dhe trupave. Policia e Kosovës këtë plan e sheh si plan të aneksimit të veriut të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA