Viti 2025 do të sjellë për herë të parë në Tiranë, drejtues të lartë nga mbi 158 autoritete mbikëqyrëse e rregullatore nga e gjithë Bota, si edhe përfaqësues, ekspertë e drejtues të shoqërive të sigurimit.
Kjo, pasi Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), që është institucioni më i lartë që grupon mbikëqyrësit dhe rregullatorët e këtij tregu nga e gjithë Bota, ia ka besuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) organizimin e eventeve vjetore.
Bëhet fjalë për Konferencën Vjetore, Mbledhjet e Përgjithshme Vjetore, si edhe Mbledhjet e Komiteteve të IAIS, të cilat siç është bërë traditë zhvillohen çdo vit përgjatë muajit nëntor. Kështu, edhe pse datat nuk janë përcaktuar ende dhe mbetet të saktësohen gjatë periudhës në vazhdim, Shqipëria dhe në këtë rast AMF, si rregullatori i vendit pritës, ka marrë “ok” e Komitetit Ekzekutiv të IAIS për organizimin e këtyre evente të rëndësishme.
Konferenca Vjetore mbledh çdo vit rregullatorë, përfaqësues të institucioneve financiare, ekspertë dhe aktorë të tregut të sigurimeve për të diskutuar mbi trendet, risitë dhe sfidat e kësaj industrie. Ndërsa Mbledhjeve e Komiteteve të IAIS janë kryesisht takime teknike, ku miratohen plane veprime, dokumente, si edhe diskutohet mbi planet e ardhshme të organizatës.
Përmes një letre që i është dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i IAIS, Jonathan Dixon, Drejtoreshës Ekzekutive në Detyrë të AMF-së, Mimoza Kaçi, zyrtari i lartë e ka informuar për vendimin e Komitetit Ekzekutiv të IAIS për të përzgjedhur Shqipërinë për organizimin e eventeve më të rëndësishme vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime.
“Në emër të Organizatës, dua t’ju falënderoj për mbështetjen Tuaj dhe për lidershipin e treguar,” theksohet në letrën e dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, Dixon.
Organizimi i këtyre takimeve në Shqipëri përfaqëson jo thjesht një shenjë besimi ndaj mbikëqyrësit, në këtë rast AMF, por edhe sinjal tejet pozitiv për imazhin e vendit, i cili përgjatë këtij viti u kthye në një destinacion të preferuar botëror të turizmit, me një rritje rekord të numrit të vizitorëve të huaj.
Top Channel