Transfertat e brendshme bankare në Euro për këtë vit shënuan rritje.

Në tetë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, u kryen më shumë se 154 mijë transferta kombëtare në euro vetëm nëpërmjet sistemit të pagesave AIPS Euro. Shifër kjo më e lartë se ajo e vitit të kaluar, kur dhe u vendos ky shërbim.

Vitin e kaluar sipas Bankës së Shqipërisë u bënë rreth 14 mijë transferta kombëtare, ndërsa këtë vit numri mesatar i transaksioneve arriti në më shumë se 19 mijë. Ndërkohë vlera mesatare mujore e transaksioneve arriti pothuajse në 319 milionë euro, rreth 20 milionë më shumë se ajo e vitit të kaluar.

Këto të dhëna tregojnë gjithashtu edhe rritje të përdorimit të monedhës evropiane në transaksionet e brendshme por dhe në ekonominë shqiptare. Sistemi AIPS Euro, vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive nga pikëpamja e administrimit të parasë, pasi komisionet janë të vogla, por dhe nga ana tjetër ka promovuar akoma më shumë pagesat elektronike.

Ky sistem, sipas Bankës së Shqipërisë, i kursen ekonomisë shqiptare afro 10 milion euro në vit. Kjo pasi komisionet e larta, që aplikoheshin në të shkuarën, bënin që shpesh klientët e sektorit bankar të zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve pranë sporteleve të arkës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA