Aktivistët shënojnë 5-vjetorin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi

01/10/2023 17:25

Të hënën mbushen pesë vjet kur gazetari i gazetës “Washington Post”, Jamal Khashoggi u vra në konsullatën saudite në Stamboll.

Që atëherë, agjencitë amerikane të zbulimi e kanë drejtuar gishtin tek udhëheqja saudite, përfshirë Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, si personi që urdhëroi vrasjen e gazetarit. Ndërkaq, siç informon korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite po vazhdojnë të normalizohen, duke zhgënjyer disa aktivistë të lirisë së shtypit dhe sundimit të ligjit.

Më 2 tetor 2018, gazetari Jamal Khashoggi hyri në konsullatën saudite në Stamboll dhe nuk doli kurrë. Atje, agjentë saudit thuhet se e mbytën duke i zënë frymën dhe më pas e coptuan trupin e tij.

Zbulimi amerikan më vonë arriti në përfundimin se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman kishte miratuar misionin për të kapur dhe vrarë gazetarin me origjinë saudite, i cili kishte qenë kritik ndaj tij. Princi e quan vdekjen e të ndjerit Khashoggi si një gabim. Shumë njerëz po e kujtojnë zotin Khashoggi pesë vjet pas vdekjes së tij.

“Jamal Khashoggi ishte pjesë e një brezi të rëndësishëm. Ai përfaqësonte dikë që bënte thirrje për demokraci, reforma dhe përmirësime në botën arabe”, thotë Raed Jarrar, nga organizata ‘Demokraci për Botën Arabe Tani’.

“Ai filloi të bëhej gjithnjë e më kritik ndaj një sërë politikash të qeverisë saudite nën Princin bin Salman, duke filluar nga lufta në Jemen, shtypja e aktivisteve të të drejtave të grave, fushatën e përgjithshme të shtypjes që ai mendonte se e bëri Arabinë Saudite një vend të kontrolluar dhe censuruar me ashpërsi”, thotë Justin Shilad, nga Grupi i Shprehjes së Lirë, PEN America.

Mbështetësit e gazetarit të ndjerë janë të pikëlluar gjithashtu nga normalizimi i marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite.

Presidenti Joe Biden vizitoi mbretërinë në vitin 2022 dhe u takua me Princin bin Salman. Analistët thonë se interesi amerikan në Arabinë Saudite ka qenë pjesërisht për të përmbushur nevojat amerikane për energji.

“Unë po bëj gjithçka që mundem për të rritur furnizimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Presidenti Biden më 15 korrik të këtij viti.

Shumë aktivistë do të dëshironin që të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit të viheshin në qendër të vëmendjes kur bëhet fjalë për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Kur Presidenti Biden kandidoi për president, ai u zotua se do ta ndëshkonte Arabinë Saudite për vrasjen e Khashoggit, por, në fakt, sot ka ndodhur e kundërta. SHBA-ja po përkrahë Arabinë Saudite dhe po negocion një traktat të mbrojtjes me qeverinë e Arabisë Saudite”, thotë Amrit Sing, profesore në Fakultetin Juridik të Stanfordit, ku ajo merret me sundimin e ligjit.

“Duhet të rimendojmë angazhimin e Shteteve të Bashkuara me diktaturat, me dhunuesit e të drejtave të njeriut… duhet të ndalojmë mbështetjen e tyre me armët tona dhe me kapitalin tonë politik”, thotë zoti Jarrar nga organizata “Demokraci për Botën Arabe Tani”.

Pavarësisht dënimeve që janë dhënë në ato që kritikët i quajnë “procese teatrale gjyqësore” në Arabinë Saudite, familja dhe mbështetësit e zotit Khashoggi thonë se nuk ka pasur drejtësi të vërtetë në vrasjen e gazetarit – por kjo nuk do t’i ndalojë ata të vazhdojnë thirrjet për drejtësi./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA