Katër shqiptarë janë burgosur në Britaninë e Madhe, pasi rrëmbyen një shtetas italian sepse nuk iu kishte bërë pagesën për një borxh të supozuar të drogës.

Media britanike Sky News, të cilës Top Channel i referohet, raporton se italiani rreth të 30-tave, u mbajt për 36 orë kundër dëshirës së tij në një apartament në Cricklewood, në veriperëndim të Londrës, pasi u josh nga shqiptarët një lokal në shkurt të këtij viti.

Ndërsa ishte atje, ai bëri disa telefonata me ish-partneren dhe miqtë e tij për ta ndihmuar të paguante 110,000 £, pasi po ia kërkonin në lidhje me një borxh droge që i detyrohej mikut të tij. Kur policia kishte hyrë në banesë më 18 shkurt, e gjeti të riun të gjakosur me disa plagë thike dhe mavijosje.

Pamjet e telefonit celular të gjetur më vonë nga oficerët treguan italianin duke u kërkuar rrëmbyesve të tij që të mos e vrisnin. Ervis Ademi, Xhekson Malollari, Mariglen Elezi dhe Hydajet Kadriu janë të gjithë të burgosur.

Malollari dhe Elezi u shpallën fajtorë për komplot për rrëmbim, ndërsa Elezi u shpall fajtor edhe për posedim të një sasie të vogël kokaine.

Dy nga grupi i katër shqiptarëve e çuan viktimën në një bar në Cricklewood Broadway për t’i marrë borxhin e drogës. Pas disa bisedimeve ata u larguan nga bari të tre së bashku, dhe ndërsa ishin duke ecur në rrugën Richborough, dy shqiptarët e tjerë të veshur me kapuç u afruan përballë, e mbërthyen me forcë italianin dhe e futën në një makinë. Nga aty, grupi u largua për të gjetur strehë në një banesë në Dean Road, ku dhunuan fizikisht viktimën, dhe i lanë atij prerje me thikë në trup gjatë përleshjes.

Pasi italiani u bëri thirrje miqëve të tij për pagesën, policia u vu në dijeni për rrëmbimin dhe filloi të vëzhgonte banesën në orën 2 të mëngjesit të datës 18 shkurt në kuadër të Operacionit Major.

Rreth orës 12:30, policia e armatosur ka hyrë në banesë dhe ka arrestuar Malollarin dhe Elezin. Ademi dhe Kadriu u arratisën por u kapën dhe u arrestuan jashtë ndërtesës.

Detektivi Tom Waller, i cili udhëhoqi hetimin, tha se: “Ky rrëmbim ishte një sulm i tmerrshëm i planifikuar ndaj një personi.”

Pas arrestimit të shqiptarëve, oficerët kërkuan prova në banesë, ku gjetën kapuçët, sende të lyera me gjak, telefona celularë dhe çelësat e një makine që kishte qenë në skenën e rrëmbimit. Pamjet e kamerave të lokalit tregonin Malollarin si një nga personat që takoi viktimën te bari. Po ashtu, pamjet e kamerave të sigurisë të marra nga një biznes aty pranë treguan të njëjtën makinë në vendin e rrëmbimit, e cila ishte parkuar jashtë banesës në Dean Road.

Sipas policisë kishte edhe disa foto dhe mesazhe inkriminuese në telefona, si dhe një video tregonte viktimën e plagosur, duke iu përgjigjur pyetjeve për paratë dhe lutur për jetën e tij. Ademi dhe Malollari u dënuan në Gjykatën e Kurorës së Amersham të premten, më 22 shtator, me 10 vite burg.

Elezi dhe Kadriu u dënuan me nga katër vjet burgim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA