Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur edhe njëherë qëndrimin se nuk kanë ndryshuar pozicion për Sali Berishën që është shpallur non grata.
Përplasjet në Partinë Demokratike për çështjen e drejtimit të grupit parlamentar, SHBA i sheh si çështje të brendshme të demokratëve. Ambasada e SHBA është shprehur për një media se nuk është detyra e saj që të zgjedhë se kush i udhëheq partitë politike në Shqipëri.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.”, tha ambasada amerikane në Tiranë për një media tjetër.
Top Channel