Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia, ka thënë të martën se gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë, duhet të bëhet në koordinim me këtë mision.
Në një konferencë për media në Beograd, ai u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse duhet kërkuar leja e KFOR-it kur është fjala për dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha më 7 shtator, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se dhjetë vjet më parë, Kosova është zotuar për të mos e angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri, pa konsultim paraprak dhe miratim të komandantit të KFOR-it.
“Në përputhje me obligimet e Prishtinës më 2013, çdo angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri kërkon negociata me KFOR-in. Ne presim konsultime për çdo veprim të forcave speciale të Policisë së Kosovës që mund të ndikojë në siguri”, ka thënë Stoltenberg atë ditë.
Ristuccia ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është “shumë të paqëndrueshme” dhe që gjendja mund të përshkallëzohet shpejt. Ai ka vlerësuar se ngjarjet që kanë kërcënuar me dëmtim të sigurisë, janë pasuar me përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të krijuar një situatë më paqësore dhe të balancuar.
“Ato vetëm e konfirmojnë që zgjidhjet politike mund të rezultojnë me paqe afatgjatë dhe stabilitet në atë zonë. Shumë ngjarje, sidomos ato të 29 majit, e konfirmojnë se zgjidhjet politike janë të nevojshme. Kjo është arsyeja pse NATO-ja dhe KFOR-i e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”.
Ai ka thënë se qasja konstruktive nga të dyja palët është kyçe për t’i krijuar kushtet e nevojshme për siguri të përhershme në Kosovë dhe në rajon, për të mirën e të gjithëve dhe të gjeneratave të reja.
Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është tensionuar në fund të majit, pasi disa grupe lokale serbe kanë protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në veri janë bojkotuar nga serbët lokalë. Situata në veri, me raste, është përshkallëzuar në dhunë. Situata më kritike është regjistruar më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur.
Autoritetet e Kosovës janë duke kryer hetime për të vërtetuar se kush është përgjegjës për dhunën.
Përshkallëzimi i situatës është dënuar nga zyrtarët në Bashkimin Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. Dhuna është dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara, derisa KFOR-i ka marrë vendim për rritje të prezencës së tij në Kosovë.
Hetimet për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it
Duke folur për hetimet e autoriteteve të Kosovës për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, Ristuccia ka thënë se nuk ka informacione të reja, por e di se hetimet po kryhen.
Ai ka thënë se shpreson që autoritetet në Serbi janë duke kryer hetime për personat që janë kthyer në këtë shtet. Ristuccia ka thënë se pret që kryesit e sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it të “ndiqen menjëherë penalisht dhe të dalin para drejtësisë, në të dyja anët”.
Mes tjerash, komandanti i KFOR-it ka thënë se ky mision mbetet i përkushtuar për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës. Misioni i KFOR-it është i pranishëm në Kosovë prej vitit 1999, siç e parasheh mandati i Kombeve të Bashkuara./ REL
Top Channel