Irani dhe Iraku kanë arritur marrëveshje për çarmatimin dhe zhvendosjen e “grupeve të armatosura terroriste” të rajonit kurd të Irakut, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme e Iranit.
“Është arritur një marrëveshje mes Iranit dhe Iraku, sipas të cilës Iraku është përkushtuar t’i çarmatosë separatistët e armatosur dhe grupet terroriste në territorin e vet, t’i mbyllë bazat e tyre, dhe t’i zhvendosë ata në vende të tjera para 19 shtatorit”, tha zëdhënësi i Ministrisë iraniane, Nasser Kanaani.
Kanaani nuk tregoi se ku do të zhvendoseshin militantët. Iraku nuk ka komentuar ende rreth kësaj. Irani ka kohë të gjatë që e akuzon rajonin autonom kurd të Irakut verior se po rrit grupe terroriste, të cilat janë përfshirë në sulme kundër Republikës Islamike.
Garda Revolucionare e Iranit i ka sulmuar vazhdimisht bazat e tyre në rajonin kurd të Irakut.
Në shtator të vitit të kaluar, Garda Revolucionare e Iranit i sulmoi me raketa dhe dronë caqet e militantëve në rajonin kurd të Irakut, duke i varë 13 njerëz, sipas autoriteteve lokale.
Ministria e Jashtme e Irakut i kishte dënuar sulmet. Por, Irani ishte përgjigjur duke thënë se do t’i vazhdonte sulmet ndaj, siç i quajti, terroristëve në rajon. /REL
Top Channel