Not në ujërat e kristaltë me verë cilësore dhe të lirë, aventura e paharrueshme e britanikeve në Ksamil

25/08/2023 19:30

Dy vajza britanike këtë verë zgjodhën një destinacion të pazakontë pushimesh, sikurse ato e quajnë, Ksamilin.

“The Sun” që ka publikuar në një artikull aventurën e turisteve, shkruan se ndonëse Shqipëria nuk është një destinacion shumë i popullarizuar për pushime në mesin e britanikëve, Riviera u ka bërë përshtypje falë plazheve të bukura dhe çmimeve të lira.

Vajzat britanike postuan në rrjetet e tyre sociale disa nga momentet e relaksit në plazhet e Ksamilit, ku shprehen të habitura për faktin se paguan vetëm 12 paund për një dekanter të madh me verë vendase teksa notonin “në ujërat më të kristalta ndonjëherë”.

“Po qëndrojmë në shezlongë falas dhe pasi të perëndojë, do të shkojmë në një drekë autentike mesdhetare, ku do të ushqehemi për 10 paund. Kudo ku shkojmë, çdokush është miqësor. Pushimet nuk kanë pse të jenë të kushtueshme”, shkruajnë turistet.

Videoja ka marrë mbi 600.000 shikime në “TikTok” dhe qindra komente. “Kjo ishte përvoja ime shqiptare! Është absolutisht e nënvlerësuar, por shpresoj të mbetet kështu”, shkruan një komentues.

“Sapo e shtova në listën time“, thotë një tjetër. “Jam shumë i interesuar të vizitoj Shqipërinë”, shkruan një përdorues i rrjeteve sociale.

Disa të tjerë përmendin disa nga restorantet, ku thonë se kanë ngrënë “mirë dhe lirë”.

“Ushqimi dhe pijet ishin kaq të mira, dhe ne notuam në pishinë dhe u hodhëm në det gjatë gjithë ditës”.

“The Sun” shkruan se disa linja ajrore kryejnë fluturime direkte nga Britania e Madhe në Shqipëri, me çmime që fillojnë nga 25 paund dhe Ksamili është katër orë larg aeroportit në Tiranë. Pushuesit gjithashtu mund të shkojnë në Korfuzin fqinj dhe të kapin një traget për në Sarandë. Përveç fluturimeve të lira, pijeve dhe shezlongëve, akomodimi në hotel është gjithashtu i përballueshëm. Ka një sërë opsionesh akomodimi në Ksamil duke përfshirë hotele dhe pushime me qira me dhoma duke filluar nga 21 paund për natë, shkruan tabloidi britanik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA