Punonjësi i policisë Redin Çaushaj është plagosur me thikë pasi ka ndërhyrë për të ndaluar një konflikt fizik mes disa personave në fshatin Pilur të Himarës, ndërsa aktualisht ndodhet në gjendje kritike në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës.
Pamjet vijnë nga Reanimacioni ku Çaushaj transportohet për ndërhyrje pas plagëve të marra. Ndërkohë në ambientet e spitalit kanë mbërritur edhe kolegë të tij për të dhuruar gjak.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 23:00, ku disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin dhe në momentin që po ndodhte konflikti, polici Redin Çaushaj, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, 60-vjeçari nga fshati Pilur e ka goditur me mjet prerës thikë.
Ky i fundit u arrestua sot pas 8 orësh kërkime ku ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak të fshatit Pilur.
Lidhur me ngjarjen e rëndë reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili tha se kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit.
Top Channel