Polici u plagos nga qytetari në Himarë, reagon Balla: Redin Çaushaj po lufton me jetën, krim i rëndë kundër shtetit

16/08/2023 10:12

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Himarë ku një efektiv policie u plagos rëndë nga një 60-vjeçar teksa u fut të shuante një sherr.

Balla bën me dije se efektivi Redian Çaushaj për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës, ndërsa thekson se kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit

“Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit të Vlorës. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe paraqitet e stabilizuar në parametrat jetikë për momentin. Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm. Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndërshkim të ashpër për fajtorin. Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.”-thuhet në reagimin e ministrit Balla.

Sot është arrestuar 60-vjeçari i cili plagosi një polic 28 vjeçar, mbrëmjen e djeshme në fshatin Pilur të Himarës. Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, 60-vjeçari Thodhor Mërkuri i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak të fshatit Pilur, u kap dhe u vu në pranga për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 23:00, ku disa shtetas po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin dhe në momentin që po ndodhte konflikti, polici Redin Çaushaj, me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe kur ka parë personat që po konfliktoheshin, ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, 60-vjeçari nga fshati Pilur e ka goditur me mjet prerës thikë.

Top Channel