Azilkërkuesit në Gjermani: Turqia kapërcen Afganistanin

15/08/2023 08:08

Më shumë se 23 mijë shtetas turq aplikuan për azil në Gjermani deri në fund të korrikut të vitit 2023.

Sipas Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët (BAMF), kjo është një rritje prej 203 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Indeksin e Vendit të Origjinës 2023, Turqia renditej e treta pas Afganistanit dhe Sirisë.  Por në muajin korrik, kaloi e dyta pas Sirisë, me 3.791 aplikime.

Disa ekspertë e kishin parashikuar këtë mundësi pas rizgjedhjes së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në këtë post. “Të paktën gjysma e atyre që nuk votuan për Erdoganin janë të zhgënjyer,” thotë Dündar Kelloglu, një avokat dhe anëtar bordi i Këshillit të Refugjatëve të Saksonisë së Ulët.

Kjo gjysmë kishte shpresuar një ndryshim të qeverisë dhe përmirësimin e situatës politike dhe ekonomike. Kelloglu vëren se një depresion i thellë po përhapet aktualisht në mesin e opozitës në vend.

“Nuk ka pasur asnjë atmosferë kaq pesimiste pas grushtit të shtetit ushtarak të vitit 1980”, thotë ai në një intervistë për DW. Sipas tij, situata politike është ende shumë e tensionuar. Persekutimi i disidentëve vazhdon pa pushim. Veçanërisht pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016, qeveria turke ka goditur edhe më shumë kritikët.

Mijëra anëtarë të opozitës janë në burg prej vitesh, e disa mijëra kanë humbur punën nën dyshimin për terrorizëm. Kushdo që aplikon për një punë, qoftë në shërbimin publik apo në pjesë të mëdha të sektorit privat, ka nevojë për kontakte të mira me partinë në pushtet ose me fondacionet fetare dhe vëllazëritë afër saj. Shumë anëtarë të opozitës janë të frustruar dhe po largohen nga vendi i tyre.

Një ish-mësues anglishte rrëfeu se jetonin çdo dite me frikë e pasiguri, duke pritur që policia t`u trokiste në derë sërish e t`i çonte në komisariat. Ai tregon se si u largua me të shoqen mëngjesin e 1 nëntorit dhe u nisën në ujërat e rrezikshme të Egjeut. Ata arritën në Gjermani shtatë javë më vonë. Që atëherë, çifti ka jetuar në një vendstrehim refugjatësh, pranë Aachenit. Së fundmi çifti ka aplikuar për azil. Aktualisht janë në pritje të vendimit. Të dy ata u dënuan në Turqi për anëtarësim në “organizatën Gylen”. Lëvizja e predikuesit islamik me bazë në SHBA, Fethullah Gylen konsiderohet një organizatë terroriste në vend.

Qeveria turke e akuzon atë se qëndron pas përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016. Problem përbën dhe situata ekonomike në Turqi e cila është përkeqësuar me shpejtësi, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit. Kryesisht për shkak të politikës së normave të ulëta të interesit të presidentit turk Erdogan, lira po humbet vazhdimisht vlerën dhe inflacioni po rritet shumë.

Së fundmi, sipas shifrave zyrtare, inflacioni ishte rreth 48 për qind, ndërsa në fund të vitit, Banka Qendrore pret madje një inflacion prej 58 për qind. Një pjesë e madhe e popullsisë janë varfëruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA