Rikthehen rastet me Covid në Fier.
Brenda dy ditëve të fundit në Fier, Patos e Roskovec janë zbuluar 20 raste me Covid. Drejtuesi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Fier, Arbër Arapi është shprehur se situata e rritjes së rasteve me Covid në Fier është shkak i fluksit në rritje të emigrantëve.
Duke marrë parasysh këtë situatë është rritur edhe kryerja e testimeve. Për drejtuesin e Kujdesit Shëndetësor në Fier pavarësisht se kemi raste të shtuara me Covid, gjendja shëndetësore e pacientëve ka pasur simptoma të lehta pa rrezik për jetën.
“Kemi raste të shtuara, aktualisht kemi 20 raste pozitive, në krahasim me javën e kaluar janë dyfishuar. Femijët nën tre muaj transportohen në Tiranë, ndërsa ata mbi tre muaj në shtëpi, në varësi të rasteve.“- tha Arber Arapi.
Por rastet me Covid janë shfaqur edhe tek fëmijët. Në këto ditë të gushtit është regjistruar edhe një numër i lartë vizitash dhe shtrime të fëmijëve në spital nga virozat e stinës. Sipas mjekes pediatre Anila Muka shkak i fluksit të rritur të fëmijëve të sëmurë janë virozat si dhe Covid.
Vetëm në 24 orë numri i vizitave shkon në mbi 85 fëmijë dhe mbi 20 shtrime në spital. Numrin më të lartë të fëmijëve të sëmurë e përbëjnë fëmijet e emigrantëve, ndërsa shenjat që shfaqin pacientët e vegjël janë temperatura e lartë si dhe çrregullime të aparatit të tretjes.
“Rastet në këtë periudhë i shton fluksi dhe ardhja e emigrantëve, janë kryesisht me të vjella, pickime alergji plus kemi dhe raste me Covid.”-tha Anila Muka pediatre.
Top Channel