Vodhën 10 makina në Rinas dhe në Tiranë, arrestohen 3 persona
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja dhe ka dërguar në gjyq tre persona, mes tyre Elvis Shkambin, i akuzuar për tre vepra penale, si dhe xhaxhain e tij, Gjon Shkambin.
Në gjyq do të përballet edhe punonjësi i sigurisë së Gjykatës, Banush Koxhaj, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
Sipas Prokurorisë, Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërkohë, gazetarja e Top Channel bën me dije se Gjergj Shkambi është dërguar në gjyq për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj. akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, më 6 tetor 2025, pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K. gjatë një seance për “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit.
Më pas, sipas Prokurorisë, ai e drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë që tentuan të largoheshin nga salla, duke plagosur njërin në dorën e djathtë dhe duke dëmtuar tjetrin në trup.
Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u kap në flagrancë.
Prokuroria thotë se nga hetimet rezultoi se Elvis Shkambi e kreu veprën në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Një nga provat e përmendura në dosje është edhe deklarimi i Elvis Shkambit se e kishte pasur armën edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti.
Në lidhje me punonjësin e sigurisë, Prokuroria konstaton se Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë pa iu nënshtruar kontrollit fizik, ndërsa njëri prej tyre kishte armë zjarri me vete.
Sipas akuzës, Koxhaj nuk kreu kontrollin fizik dhe nuk bëri as regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve. Për këtë arsye, ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Tashmë dosja i kalon Gjykatës, e cila do të shqyrtojë akuzat dhe provat e administruara gjatë hetimit.
Top Channel