Pas gjetjes së 125 bimëve kanabis në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr në Tiranë, Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest me burg shefin e sigurisë Gramoz Mullën dhe dy specialistët e zbulimit Rustem Poçin dhe Gentian Zhurdën.

Gjatë seancës gjyqësore, gazetarja Anila Hoxha raporton se të dyshuarit janë shprehur se kanë vënë në dijeni eprorët për terrenin e vështirë dhe se nuk kanë shpërdoruar detyrën pasi kanë 20 vite që punojnë si ushtarakë.

Avokatët e tyre kanë kërkuar gjatë seancës me dyer të mbyllura, se pa pasur akt ekspertimi nuk mund të ngrihet asnjë aktakuzë.

Ndërkohë, katër ushtarakë të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.

Prokurorja Elona Alvora, bëri me dije se droga u zbulua nga një dron i policisë, në një territor të thyer dhe sipas saj ushtarakët kishin për detyrë që ta kontrollonin terrenin.

Gjatë fjalës së tij shefi i sigurisë Gramos Mulla u shpreh se nuk kishte arritur ta evidentojë këtë ngjarje dhe se i ka kërkuar eprorëve pajisje logjistike por nuk ua kanë vënë në dispozicion.

Sipas tij është rreth 140 hektarë tokë gjithsej nga Kamza deri në Dajt dhe ishte e pamundur të kontrollohej e gjitha dhe se droga ishte e kultivuar mes ferrave.

Nga ana tjetër specialisti i arrestuar mësohet të ketë thënë se ishte me leje të zakonshme dhe sapo e kanë njoftuar për ngjarjen është kthyer në detyrë e së bashku me oficerët e tjerë ka shkuar për të prerë ferrat. Sipas tij pasi ka përfunduar me prerjen e ferrave i kanë thënë të japë një deklaratë dhe më pas e kanë arrestuar.

Ai tha se kishte vënë në dijeni eprorët për murin e prishur dhe ferrat por që nuk i kishte shkuar mendja se aty mund të kishte drogë. Sipas tij, ka lajmëruar eprorët me email pasi për shkak të murit të prishur mund të hynin bagëtitë brenda në repart.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura për siguri të sekretit ushtarak dhe hetimor.

 125 bimë kanabis u gjetën dy ditë më parë në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr në Tiranë. Sipas policisë, u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA