
Hedhja e mbetjeve jashtë zonave të përcaktuara apo koshave përbën krim mjedisor.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka publikuar sot një video në rrjetet e saj sociale, ku denoncon rastin e dy automjeteve në aksin Vlorë – Orikum, të cilat në mbrëmje hedhin mbetjet jashtë koshave.
“Ja ç’ndodhi në aksin nacional Vlorë-Orikum, ku dy makina private njëra pas tjetrës shkojnë natën si kusarë dhe hedhin mbeturinat jashtë kazanëve pavarësisht se kazanët janë bosh! Me të tilla raste përballen ekipet e pastrimit çdo ditë, nga individë e biznese, që publiken e shohin si tokë pa Zot dhe i hedhin kuturu plehrat, jashtë pragut të tyre”, shkruan Kumbaro.
Flukset e larta turistike gjatë muajve korrik dhe gusht kanë sjellë mbipopullimin e bashkive bregdetare. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, Shqipëria ka mikpritur mbi 3,4 milionë vizitorë të huaj, ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022.
Top Channel