“Korriku 2023 muaji më i nxehtë në histori”, shkencëtarët: Rekord i pashmangshëm

28/07/2023 08:17

Temperaturat ekstremisht të larta të korrikut, kanë bërë që shkencëtarët ta konsiderojnë muajin më të nxehtë në histori, edhe pse ende priten ditë të tjera me mot të ngrohtë.

Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus, deklaroi se nxehtësia e korrikut është përtej thjesht thyerjeve të rekordeve. Ata thanë se temperatura e Tokës ka kaluar përkohësisht mbi një prag të rëndësishëm të ngrohjes: objektivi prej 1.5 gradë Celcius i pranuar ndërkombëtarisht për të kufizuar ngrohjen globale.

Temperaturat ishin 1.5 gradë më të larta se koha para-industriale për një rekord prej 16 ditësh këtë muaj, ndërsa marrëveshja e klimës së Parisit synon të mbajë rritjen e temperaturës mesatare globale për 20 apo 30-vjet në 1.5 gradë.

Studiuesit e konsideruan një rekord të pashmangshëm muajin korrik për Amerikën e Veriut, Evropën dhe Azinë.

Ndër të tjera shkencëtarët raportojnë se një regjistrim i tillë i nxehtësisë është një sinjal për ndryshimet e ardhshme ndërsa planeti ngrohet. Këto ndryshime shkojnë përtej valëve të zgjatura të të nxehtit dhe përfshijnë më shumë përmbytje, zjarre dhe ngjarje ekstreme të motit që vënë shumë njerëz në rrezik.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres u kërkoi udhëheqësve botërorë, veçanërisht atyre të vendeve të pasura, të bëjnë më shumë për të pakësuar emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë.

Pavarësisht negociatash ndërkombëtare për klimën dhe premtimeve të shumta nga shumë vende dhe kompani prej shumë vitesh, emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë vazhdojnë të rriten.

Top Channel