Vizita e Ramës, reagon ministri grek! Shefi i diplomacisë, Gerapetritits: Veprim i parakohshëm, por nuk mund ta ndalojmë

09/05/2024 19:30

Përfundimisht Pallati i Sportit në Galatsi, në veri të Athinës, do të jetë vendi ku kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin me emigrantët shqiptarë në Greqi këtë të diel, takim për të cilin qeveria greke është njoftuar zyrtarisht vetëm pardje, të martën.

Leja thuhet se është dhënë nga Kompania Shtetërore e Pasurive të Paluajtshme, ndërsa konsultimi është bërë nëpërmjet ambasadës shqiptare me kompaninë Christmas Theater, e cila e menaxhon sallën, ndërsa ftesa është për orën 10.30 të datës 12 maj.

Është një vizitë në kuadrin e një vendimi të kahershëm për të vizituar vendet europiane ku jeton diaspora shqiptare ,përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm në Shqipëri ndaj për mendimin tim ka një karakter të parakohshëm – ka deklaruar kreu i diplomacisë greke Georgios Gerapteritis në një intervistë për radiostacionin SKAI.

I pyetur nëse reagimi me përfshirjen e Fredi Belerit në listën me kandidatë për eurodeputetë të Demokracisë së Re provokoi si kundërpërgjigje vizitën e Edi Ramës , si një “ping pong”, lëvizjesh simbolike që njëra palë të shqetësojë tjetrën, ai e ka mohuar duke thënë se është një vizitë private që udhëheqësi shqiptar ka të drejtë ta bëjë dhe se Greqia si shtet demokratik nuk mund ta ndalojë ndaj dhe nuk ngriti asnjë pengesë,madje do të japë edhe sigurinë e zhvillimit.

Greqia nuk është pengesa për zgjidhjen e krizave apo problemeve -ka deklaruar Gerapetriti duke theksuar se sa i përket çështjes Beleri , kapitulli i parë mbi të cilin do të vlerësohet Shqipëria është respektimi i shtetit të së drejtës dhe ajo lidhet, jo me marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, por me legjislacionin evropian.

Në të njëjtën gjatësi vale , kanë qenë edhe deklaratat e zëdhënësit të qeverisë në konferencën për shtyp pak pas mesdite , kur është pyetur për reagimet e qeverisë, pasi vizita e kryeministrit shqiptar përkon me njëvjetorin e burgosjes së Fredi Belerit.

Top Channel