Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm Redjan Rrajën, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në 1 nëntor të vitit 2019.

38-vjeçari akuzohet si njëri nga dy ekzekutorët që qëlluan me breshëri në drejtim të automjetit në të cilin po udhëtonte prokurori Ndoja dhe Pëllumb Muharremi,i njohur si Rrumi i Shijakut, të cilët konsiderohen si shënjestra të atentatit.

Të dy mbetën të plagosur, ndërkohë që u vra ish-polici Andi Maloku, i cili ishte shofer i prokurorit. Si provë kundër Rrajës, SPAK deklaroi ADN-në e përftuar nga një gjurmë papilare, të lënë në syzet e harruara pikërisht në mjetin e braktisur nga vrasësit.

Gjyqtaret Irena Gjoka,  Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi vendosën pranimin e kërkesës së SPAK për dy të pandehurit, të cilët mund ta ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve.

Foto pas atentatit të 1 nëntorit 2019

Veç Rrajës, Gjykata e Posaçme vendosi 35 vite burg për Ariol Halilajn. Ai është bashkëpunëtori dhe personi kyç që ka ndihmuar Rrajën dhe ekzekutorin e dytë ende të paidentifikuar duke i larguar me makinën e tij, pasi ata braktisën në fshatin Shkafanë, automjetin me të cilin kryen krimin.

Rraja u tradhtua jo vetëm nga syzet, por sipas prokurorëve të SPAK, edhe nga komunikimet në aplikacionin SKY, ku të dyshuarit menjëherë pas arrestimit të Rrajës flasin të shqetësuar se duhet t’i siguronin një avokat në mënyrë që të mos fliste.

Dhe në fakt, nga viti 2019, kur u arrestua teksa po largohej nga Shqipëria, Redjan Rraja ka mohuar çdo gjë. E dhëna tjetër që vë në vështirësi Rrajën është ajo e komunikimeve me 10 të dyshuarit e një dosjeje të veçuar, në të cilat ata shprehen se kishin paguar 300 mijë euro, për të tjetërsuar rezultatet e ADN-së se Rrajës. Një prej tyre është edhe i kërkuari Plarent Dervishaj, i cili drejtonte nga Dubai grupin kriminal.

Pas atentatit të 2019-ës, ka pasur edhe të paktën tre raste të tjera të dështuara ndaj ish-prokurorit, sipas SPAK-ut.

11 persona të konsideruar si grupi kriminal, planifikuan eliminimin e Rrumit dhe Ndojës, pasi konsideronin si të rëndësishëm në zonën e Durrësit.

Së bashku me Dervishajn, në listën e të kërkuarve si sigurues të mjeteve për të vrarë ish prokurorin janë edhe Julian Mece, Ramazan Rraja dhe një person me inicialet D.SH. që SPAK thotë se komunikonin për detajet.

Redjan Rraja

Njoftimi i plotë i GJKKO-së

Gjykata pasi u kthye nga dhoma e këshillimit, në seancë gjyqësore publike, dëgjoi palët në diskutimin përfundimtar dhe mori provat,

PËR KËTO ARSYE:

Gjykata, bazuar në nenet 112, 379, 380, 383, 384, 390, 393, 415, si dhe 190 të Kodit të Procedurës Penale

VENDOSI:

1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

1.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

1.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.

1.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

1.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

1.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit Redjan Rraja për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

1.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Redjan Rraja me burgim të përjetshëm.

1.7 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Redjan Rraja, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
2.Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

2.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.

2.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës Arjan Ndoja, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.

2.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Maloku dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit Ariol Halilaj për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Ariol Halilaj me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.7 Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ariol Halilaj do të fillojë nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.46, datë 05.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.8 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Ariol Halilaj, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.
3.Në bazë të nenit 190 të K.Pr.Penale, lidhur me provat materiale të sekuestruara gjatë hetimeve, bashkuar me fashikullin e gjykimit sipas urdhërit “Për bashkimin e sendeve dhe provave materiale me fashikullin gjyqësor”, datë 22.01.2021 si dhe të gjitha provat materiale të sekuestruara sipas procesverbaleve përkatëse, gjykata disponon për lënien në ruajtje të tyre për llogari të procedimit penal të ndarë me nr.184/1, viti 2021 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

4. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve solidarisht.
5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2023.

GJYQTARE GJYQTARE GJYQTARE
IRENA GJOKA FLORA HAJREDINAJ FLOJERA DAVIDHI

SEKRETARE
BORA TOTOLAKU

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA