Atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, SPAK kërkon burg përjetë për Redjan Rrajën! Provat që e ‘fundosën’

31/05/2023 15:13

Të akuzuarit për atentatin kundër prokurorit Arjan Ndoja mungonin në sallën e gjykatës. Megjithatë, për shkak se ishin të pranishëm avokatët e tyre, SPAK shpalli konkluzionet dhe kërkoi burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën dhe 35 vite burgim për Arjol Halilin.

Stomatologu Rraja, 38 vjeç akuzohet si njëri nga dy ekzekutorët që qëlluan me breshëri në drejtim të automjetit në të cilin po udhëtonte prokurori Ndoja dhe Pëllumb Muharremi, të cilët konsiderohen nga hetimet e deritanishme si shënjestra të atentatit.

Të dy mbetën të plagosur, ndërkohë që u vra ish-polici Andi Maloku, që ishte shofer i prokurorit. Si provë kundër Rrajës, SPAK-u deklaroi ADN-në e përftuar nga një gjurmë papilare, të lënë në syzet e harruara pikërisht në mjetin e braktisur nga vrasësit.

Rraja u tradhtua jo vetëm nga kjo provë e pakundërshtueshme, por sipas prokurorëve të SPAK, edhe nga komunikimet në aplikacionin SKY, ku të dyshuarit menjëherë pas arrestimit të Rrajës flasin të shqetësuar se duhet t’i siguronin një avokat Rrajës në mënyrë që ai të mos fliste.

Dhe në fakt, nga viti 2019, kur u arrestua teksa po largohej nga Shqipëria, Redjan Rraja ka mohuar çdo gjë. E dhëna tjetër që vë në vështirësi Rrajën është ajo e komunikimeve me 10 të dyshuarit e një dosjeje të veçuar, në të cilat ata shprehen se kishin paguar 300 mijë euro, për të tjetërsuar rezultatet e ADN se Rrajës. Një prej tyre është edhe i kërkuari Plarent Dervishaj.

Prokurorët u treguan të rezervuar dhe nuk treguan përpara Gjykatës së Posaçme Anti Korrupsion, akte të tjera, në të cilat po hetohen edhe shtetas të tjerë, të kërkuar, por edhe të arrestuar, si pjesë  e një grupi kriminal që planifikoi për të vrarë ish-prokurorin.

Prokurorët e SPAK Adnand Xholi dhe Ols Dado shtuan se Rraja përpara atentatit kishte bërë alibinë sikur po largohej nga Shqipëria. Ndërkohë që bashkëpuntori i tij Halilaj, e ndihmoi atë dhe ekzekutorin e dytë ende të paidentifikuar që të largoheshin nga skena e krimit deri në vendin Shkafanë, aty ku dogjën njërin nga mjetet.

Top Channel