Duart janë një nga mjetet më të fuqishme që kemi.
Ato janë të përfshira në pothuajse çdo detyrë që ne bëjmë. Shpesh ndaj lodhjes në përpjekje për t’u çlodhur bëjmë një lëvizje të njohur: I kërcasim gishtat, pra i palosim gishtat dhe i shtypim me dorën tjetër derisa të dëgjohet një “krisje”, karakteristike si thyerje. Dhe ndërsa kjo lëvizje duket ngushëlluese, ekspertët theksojnë se mund të mos jetë një zakon veçanërisht i dobishëm ose i shëndetshëm.
Sipas studiuesve të Universitetit të Harvardit ka disa arsye pse njerëzit kërcasin gishtat.
“Shumë e shijojnë, ndërsa për të tjerët është një lëvizje e pavetëdijshme për të përballuar stresin që ndjejnë dhe për disa të tjerë është një zakon shumë i bezdisshëm”, thotë Dr. Robert Shmerling, reumatolog dhe redaktor në Harvard Health.
Çfarë e shkakton kërcitjen?
Sipas dr. Thanda Aung, asistente profesore e Departamentit të Reumatologjisë në UCLA, nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të shpjeguar në mënyrë adekuate mekanizmin që shkakton kërcitjen.
Dy skenarë se si mund të shkaktohet kërcitja e gishtave
Skenari i parë thotë se është rezultat i “lëvizjes së të gjitha strukturave” të gishtit, si kockat, tendinat dhe ligamentet.
Skenari i dytë i mundshëm lidhet me lëngun sinovial, substanca që lubrifikon kyçet. Lëngu sinovial përmban gazra dhe, sipas dr. Aung, kërcitja mund të shkaktohet nga lëshimi i këtyre gazrave në kyçet e gishtave.
A mund të shkaktojë artrit ky zakon?
Një studim i mëparshëm pohoi se “ata që zakonisht kërcasin gishtat e tyre, kanë më shumë gjasa të përjetojnë ënjtje të duarve dhe të kenë forcë më të ulët të kapjes”. Studiuesit vunë në dukje, se nuk ka asnjë provë të qartë se ky zakon është i lidhur me osteoartritin.
“Megjithatë, nëse i kërcisni nyjet tuaja vazhdimisht, ka të ngjarë të ndodhë dëmtimi,” vuri në dukje Dr. Thanda Aung.
Si ta largoni këtë zakon?
Të shumtë janë ata që rrëfejnë se kërcitja e gishtave është një metodë e menaxhimit të stresit.
Sipas dr. Aung, ka një mënyrë për të hequr qafe këtë zakon të keq. Çelësi është të adoptoni zakone të tjera që luftojnë stresin. Eksperti argumenton se ushtrimet e frymëmarrjes dhe teknikat e meditimit janë praktika që mund të jenë të dobishme. Shumë gjetje shkencore pajtohen se ka përfitime të vërtetuara fizike dhe psikologjike nga këto zakone.
Sipas kolumnistëve të Harvard Health, zhvillimi i një rutine është çelësi për të korrur përfitimet e këtyre praktikave të shëndetshme. Sa më shumë të praktikoni, aq më lehtë do të jetë t’i drejtoheni këtyre strategjive kur ndiheni të stresuar.
Dr. Aung shpjegon se kërcitja e gishtave shpesh bëhet në mënyrë të pavetëdijshme, ndaj sugjeron “të mbani duart e zëna”. Gjeni aktivitete që ju pëlqejnë, sepse kështu keni më shumë gjasa t’i përmbaheni atyre në planin afatgjatë.
Së fundi, eksperti sugjeron miratimin e “recetave” të provuara për lehtësimin e stresit, të tilla si ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet, lidhja me të tjerët dhe regjistrimi i mendimeve në një ditar.
Top Channel