Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në trajnimin “Sfidat dhe Perspektivat e Qeverisjes Vendore”, organizuar për kryetarët e bashkive të zgjedhur për herë të pare.
Ai u tha drejtuesve të rinj lokalë se të qenit kryetar i një bashkie është një punë sa sfiduese, aq edhe e bukur.
“Është padyshim puna më stresuese në vend, por edhe puna më e bukur në vend. Nuk e di nëse ka ndonjë rankim cilat janë punët më entuziaste dhe punët që kanë më shumë duk, padyshim është të qenit kryetar bashkie. Shpresoj shumë që do e shijoni këtë eksperiencë dhe vërtet është një punë jashtëzakonisht shpërblyese. Është e vetmja punë kur ti merr vendim në mëngjes dhe shikon rezultatin në darkë”.
Veliaj tha gjithashtu se të drejtosh punët e një qyteti nuk do të thotë që t’iu pëlqesh të gjithëve, pasi ka vendime që nuk shkojnë në interes të të gjithëve.
“Shpesh herë në politikë kemi dëshirë të na pëlqejnë të gjithë. Në fakt, në politikë duhet të të pëlqejë 50 +1%. Para meje ishte një kryetar tjetër në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai vuante pikërisht nga kjo, donte t’iu pëlqente të gjithëve. Dhe nëse donte të bënte një rrugë dhe aty kishte ndërtuar njëri pa leje, ai thoshte “nuk dua ta prish me këtë” dhe nuk e bënte. Nëse donte të bënte një ndërhyrje, një pastrim, aty ku dikush kishte vënë një kioskë, “mos ta prish me këtë”. Në fund fare, Luli e prishi me të gjithë, sepse në përpjekje për t’iu pëlqyer të gjithëve nuk bëri dot asnjë punë. Dhe edhe pse mendoi se u pëlqeu të gjithëve, kur njerëzit shkuan në kutitë e votimit, mendonin ndryshe” .
Top Channel