Studentët e Mjekësisë kanë protestuar para Kuvendit të Shqipërisë, duke kundërshtuar ashpër miratimin me procedurë të përshpejtuar të projekt ligjit për parandalimin e largimit të mjekëve.
Me thirrje dhe brohorima, studentët e konsiderojnë mbajtjen me detyrim në atdhe një vendim të marrë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut.
“Poshtë diktatura!”, “Mjekët ftohen, nuk detyrohen”, “Diploma ime nuk është prona jote”- kanë qenë disa nga thirrjet e studentëve para Kuvendit. Studentët nuk kanë kursyer as kryeministrin Edi Rama, teksa me një ironi të hollë i kujtuan kreut të qeverisë përmes pankartave të tyre studimet në Francë. “Ty s’ta mbajtën diplomën z.Rama, apo nuk iu desh”- shkruhej në mesazhin e studentëve.
Vlen të theksohet se, qeveria ka vendosur për të mbajtur me detyrim për 5 vite studentët e mjekësisë në atdhe pas përfundimit të studimeve. Gjatë protestës së sotme studentët e konsideruan vendimin diskriminues, duke theksuar se prindrit e tyre paguajnë taksa që ata të arsimohen.
Nga ana tjetër ata kanë paralajmëruar gjithashtu bojkotimin e vitit të ardhshëm akademik.
Top Channel