Nisur nga ngjarjet e fundit ne disa universitete kryesore Rajonale, Qëndresa Qytetare shpreh shqetësimin se Identiteti Akademik i vendit po zhbëhet. Sipas saj universitetet janë peng i Rektoreve të paaftë dhe te korruptuar.
“Vetëm në 30 ditë Konferencës së Rektorëve tashmë i mungojnë 3 prej tyre dhe kjo gjë nuk shqetëson asnjë vendimmarrës. I pari është rektori i Albanologjisë që dha dorëheqjen pas Vendimit të Këshillit të Ministrave për shkrirjen e Institutit të Albanologjisë. I dyti është rektori i Universitetit “Fan Noli” në Korçë pas vendimit për vet – shkrirje nen emrin e Universitetit të Tiranes. Dhe rektori i tretë që mungon është ajo e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër që është shpallur në kërkim për korrupsion dhe ryshfet, marrjen e 150 eurove për çdo provim.
Prej vitit 2017 çdo shtator kemi paralajmëruar qe kjo dite do te vinte nëse Universitetet nuk reformonin kurikulat, nuk rrisnin transparencën dhe paratë e studenteve nuk ja dedikonin zhvillimit shkencor por naftës, dietave dhe rojeve.
Në këtë situatë keqmenaxhimi universitar, e vetmja rrugë e shpëtimit të universitetit është vettingu akademik dhe pasuror i drejtuesve të tyre. Universitetet shqiptare duhet të ndahen njëherë e mire nga fenomeni i korrupsionit, i trafikut të notave dhe i shpërdorimit te parave. Identiteti dhe integriteti akademik i vendit nuk mund te jete peng i disa drejtuesve qe e trajtojnë postin si çiflig personal e pasojat i vuan universiteti, studentet e pedagoget. Stafet e profesorëve, ashtu siç u ngritën për pagat dhe transparencën, sot duhet të tregojnë publikisht se janë kundër shkrirjes me porosi te universiteteve dhe albanologjisë, kundër korrupsionit, kundër axhendës anti – universitet dhe pro arsimit cilësor.”- tha Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.
Top Channel