Pesë vite nga sulmi me pesë viktima në Capital Gazette: La gjurmë të përjetshme te gazetarët

28/06/2023 20:21

Më 28 qershor mbushen pesë vjet nga sulmi më i rëndë ndaj mediave në Shtetet e Bashkuara, kur një person i armatosur hapi zjarr brenda redaksisë së gazetës së qytetit Anapolis, Capital Gazette.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit, thotë se ngjarjet e asaj dite lanë gjurmë të përjetshme te gazetarët që i mbijetuan.

Sulmi i dhunshëm mori jetët e pesë punonjësve të gazetës së Anapolisit, Capital Gazette, dhe ndryshoi jetën e atyre që mbijetuan. Ndër ta është edhe fotoreporteri Paul W. Gillespie.

“Isha ulur tek kompjuteri dhe dëgjova zhurmë të madhe, një të shtënë dhe pastaj thyerje xhamash. Ishte duke qëlluar me armë tek hyrja”, tregon zoti Gillespie.

Mes kaosit, sirenave të ekipeve të emergjencave dhe shiritave të verdhë që rrethuan godinën… gazetarët u mblodhën tek kamioni i një kolegu dhe filluan të shkruajnë.

Në shkurt 2021, u shpall fajtor personi që sulmoi me armë, i cili deklaroi se kishte qenë i zemëruar nga mënyra se si kishte raportuar për të gazeta. Ai po vuan dënim të përjetshëm në burg për vrasjet që bëri. Por për zotin Gillespie, kujtimet e asaj dite janë ende të gjalla.

“Kur ndjehem shumë keq, më duket sikur jam thjesht në pritje për të vdekur. Në pritje të asaj që duhet të më kishte ndodhur që atë ditë”, thotë ai.

Qendra Dart për Gazetarinë dhe Traumën në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, thotë se 80% e gazetarëve janë ekspozuar ndaj ngjarjeve traumatike për shkak të punës.

Organizata për lirinë e mediave në Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar qindra sulme dhe kërcënime ndaj mediave.

Për Gillespie, momenti i sulmit me armë ndau përgjysmë jetën dhe karrierën e tij, në periudhën përpara se të ndodhte dhe në atë pas sulmit.

“Nervozohem nëse duhet të shkoj diku dhe ende ngurrojnë nëse iu duhet të më dërgojnë diku, si p.sh. tek homazhet për dikë që është vrarë me armë. Këtej sa herë flitet për dhunën me armë, të gjithë përmendin gazetën Capital”, thotë ai.

Ish-kolegia e tij Rachel Pacella është gjithashtu ndër të mbijetuarit.

Ajo mbulonte sistemin e shkollave në qarkun Anne Arundel, qasjen në hapësirat publike dhe shkruante nekrologjitë për fëmijët që humbin jetën.

“Nuk e imagjinoja dot veten duke bërë një punë tjetër”, thotë zonja Pacella.

Ditën e të shtënave, ajo ndodhej brenda redaksisë. Ngjarja ndryshoi jetën e saj. Zonja Pacella u largua së fundmi nga gazeta e Anapolisit për një karrierë të re në fushën e komunikimeve. Por, eksperienca që kaloi e bëri të reflektojë rreth sigurisë së gazetarëve në Shtetet e Bashkuara.

“Ndërsa njerëzit filluan ta bëjnë punën nga shtëpia, ndoshta nuk ekziston më një objektiv qendror sulmi, por shqetësohem se si do ta mbrojë sigurinë e tij një gazetar në shtëpinë e tij, pa ndonjë mbështetje apo burime nga njerëz të tjerë”, thotë ajo.

Në Anapolis, Memoriali i Mbrojtësve të Amendamentit të Parë nderon pesë gazetarët që u vranë: Gerald Fischman, Rob Hiaasen, John McNamara, Rebecca Smith, dhe Wendi Winters.

Edhe zoti Gillespie po krijon një ekspozitë për të nderuar punonjësit e gazetës.

“Aspekti më i mirë i projektit tim është se bisedova me secilin nga personat ndërkohë që i fotografoja. Vinin tek studioja ime, dhe për gati një orë kishim një lloj sesioni terapie me njëri-tjetrin”, thotë ai.

Ideja për një ekspozitë i erdhi në momente të vështira. Ai e mori frymëzimin nga një fotograf që e admiron.

“Vendosa se doja ta provoja diçka të tillë dhe zbraza katin e poshtëm të shtëpisë për ta kthyer në një studio. Fillova të mendoj se kë mund të fotografoj dhe vendosa të fotografoj ‘familjen’ time në Capital Gazette”, thotë ai.

Zoti Gillespie është fotoreporteri i fundit që vazhdon punën në këtë gazetë, nga gjithë gazetarët që punonin në redaksi në vitin 2018. Ai vazhdon të dalë në terren dhe është i përkushtuar ndaj gazetarisë lokale.

“Nuk jemi ne armiku i popullit. Ne jemi komshijtë tuaj. Jemi bijtë tuaj, vajzat tuaja, dhe prindërit tuaj”, thotë ai./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA