Ekskluzive/ Transfertat e dyshimta, antiterrori hetoi muxhahedinët për pastrim parash! Pse u pushuan çështjet?!

28/06/2023 22:14

Pavarësisht zhvillimeve në nivel global dhe raporteve me regjimin e Iranit nga aletaët perëndimorë, ajo që dihet me siguri është fakti se aksioni i kontrollit nuk ishte edhe aq surprizë.

“Inside Story” ka siguruar një raport të brendshëm të strukturave inteligjente që liston një sërë çështjesh dhe hetimesh penale të iniciuara ndaj muxhahedinëve ndër vite.

Përgjatë viteve 2017-2023, Policia ka referuar në Prokurori nëntë raste të cilat bëjnë fjalë për veprime të kundërligjshme të kryera nga anëtarë pjesë e komunitetit Iranian në Shqipëri. Këtu përfshihen edhe aktorë të dyshuar si pjesë e shërbimeve sekrete iraniane të interesuar për të goditur MEK.

Një hetim i vitit 2017, ngrinte hije dyshimi në lidhje me burimin e fondeve të depozituara cash nga disa persona të MEK në Shqipëri.

Sipas informacioneve, të gjithë individët donatorë deklaronin të njëjtin burim të të ardhurave se fondet i kishin sjellë personalisht “cash” në Shqipëri, ose se ishin sjellë nga familjarët e tyre. Në asnjë rast ata nuk dispononin dokument vërtetues për burimin e këtyre parave. Kjo, ka ngritur dyshimet për financime të errëta dhe pastrim parash.

Megjithatë, këto informacione të depozituara në organin e akuzës nuk janë regjistruar si procedim penal nga prokuroria duke mos u bërë subjekt i një hetimi të mëtejshëm.

Në 17 gusht të vitit 2022, u vunë nën hetim 12 anëtarë të organizatës MEK. Ata u akuzuan për prishje të rendit dhe organizim e pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme. Këta persona, në Festivalin Veror të Librit në Durrës u konfliktuan me disa anëtarë të shoqatës ASILA, një grup muxhahedinësh të shkëputur nga kampi i MEK.

Me pankarta në duar, ku i cilësonin anëtarët e shoqatës ASILA si terroristë, muxhahedinët bënin thirrje që ata të largoheshin nga panairi. Sipas tyre, kjo shoqatë bën propagandë kundër MEK-t në Shqipëri duke i konsideruar edhe spiunë të Iranit.

Ky ishte një nga rastet kur konflikti mes dy grupeve të iranianëve bëhej hapur dhe në sytë e autoriteteve shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA