Në zonë Beleri duket se ka reputacionin e një njeriu i cili bën për njerëzit duke i ndihmuar ata për marrjen e shtetësisë greke apo pensioneve nga shteti grek.
Premtimet për këto fasilitete në Himarë duket se e kanë ndihmuar atë në këto zgjedhje. Në thelb, ky është plani që zbatohet prej vitesh, që Beleri i quan “helenizimi i Himarës”.
Me pasaporta greke po pajisen edhe banorë të fshatrave që nuk flasin greqisht apo që nuk janë me kombësi greke.
Në vitin 2017 kryetarit aktual socialist të bashkisë Jorgo Goro do t’i hiqej nënshtetësia greke me motivacionin se kishte punuar kundër interesave të Athinës zyrtare.
“Ajo që pamë është që mund të të hiqet pasaporta greke qoftë edhe nëse je kryetar i Bashkisë Himarë si Jorgo Goro. Se nuk i shërben interesave të Greqisë, po ty mund të të jepët pasaporta greke qoftë edhe nësë sje nga fshatrat që janë greqishtfolëse”, u shpreh studiuesi Ardit Bido.
Banorët këtu nuk kanë frikë të tregojnë për të mirat që sipas tyre u ka bërë Fredi Beleri duke qenë për ta një zë në Greqi për pensionet, pasaportat dhe jo vetëm kaq. Pra, joshja që vjen nga Athina përmes Fredi Belerit, nuk fshihet në Himarë por thuhet hapur.
“Beleri është djalë i paparë, tërë piluriotët dhe fshatarët atje në Athinë i ka ndihmuar me dokumenta, me para e me të gjitha”, u shpreh një nga banorët e Himarës.
“Na ka premtuar që do na nxjerrë pension nga Greqia edhe më shumë na çna takon, mua ma ka nxjerrë njer, unë vajta 10 vjet që e marr pensionin”, tha një nga banorët e Himarës.
“Jam shqiptar në fakt, se mohoj këtë, kam lerë e do vdes në Shqipëri po andej i kam pjesëtarët e familjes”, tha banori i zonës.
“Beleri deklaronte që kishte bursa në menaxhim në shtetin grek, ndihmonte njerëzit vazhdimisht në një spital grek si spitali i Janinës. Që të ndihmonte me dokumenta greke. Dhe ka ndihmuar edhe këtu në Tiranë, edhe kolegë tanë. Nuk është çështje individi, janë disa struktura, qarqe”, u shpreh studiuesi Bido.
Në fakt, premtimet e Belerit për pajisjen me dokumente greke të banorëve të zonës janë faktuar edhe nga dosja hetimore që vuri prapa hekurave për blerje votash.
“Dyshohen se shpërndajnë për çdo votues një shumë të përafërt pesë mijë deri në njëzet mijë lekë të reja ose nga 50 deri në 200 euro, si dhe një ndër favoret që këta shtetas iu kërkojnë në këmbim të votës pro subjektit të tyre është premtimi për përfshirjen në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe përfitimin e pensionit në shtetin Grek. Këto premime janë bërë nga kandidati Dhionisios Alfred Beleri”, citohet në dosjen hetimore.
Top Channel