Fiks Fare denoncoi veprimet e Zyrës Shtetërore të Përmbarimit në Durrës, të cilës i duhen plot 11 vite për të ekzekutuar një vendim gjykate.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua 75 vjeçari Xhavit Shkoza nga Shijaku. Ai tregon se komshiu ngjitur me banesën e tij ka ndërtuar pa leje. Ka bërë 3 kate, ngjitur me banesën e tij.

Ndërtimi i komshiut i ka dëmtuar banesën, ku jeton prej shumë vitesh. E ka denoncuar këtë ndërtim në të gjitha institucionet, në Bashkinë Shijak, në institucione të tjera. Por askush s’ia prishi. Më pas i është drejtuar gjykatës, fillimisht në Durrës, Apel dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Prej 11 vitesh është dhënë vendimi i gjykatës për të prishur objektin pa leje, ngjitur me banesën e z. Xhavit. Këtë vendim familja Shkoza e ka dërguar te Përmbarimi në Durrës. Por, po kaq kohë, vendimi nuk është zbatuar.

“Më thonë lloj-lloj justifikimesh. Njëherë s’kemi mjete. Njëherë mungon një përmbarues. Hiqet njëri, vihet tjetri. Gjithmonë e gjejnë një justifikim. Por arsyeja kryesore është se s’kanë mjete. Erdhën në datën 14 qershor 2023, përmbaruesit, policia lokale, ajo e rendit. Por s’kishin mjete. Vijnë sa për sy e faqe. Ndërtimi ngjitur më ka prishur banesën, janë bërë procesverbale që banesa ime është prishur. Por askush nuk ndërhyn” thotë Xhaviti.

Më pas, i moshuari tregon disa qese me dokumente. “Unë jam 75 vjeç. Po bëj 11 vite që merrem me letra. Vendime gjykatash, vonesa në gjykatë. Sorollatje. Jam i sëmurë dhe shkoja dhe i ndiqja vetë. Por vetëm këto letra kam” përfundon Xhaviti.

Pas ankesës, bashkë me Xhavit Shkozën, gazetarët shkojnë te Përmbarimi në Durrës. Kërkojnë përmbaruesen e fundit, por nuk ndodhet në zyrë. Më pas, grupi i Fiks Fare takon kreun e Përmbarimit në Durrës. Thotë se edhe ai e ka pasur çështjen. Pranon se Përmbarimi s’ka mjete për ta prishur ndërtimet. Pohon se i ka kërkuar ndihmë IMT-të dhe IKMT-së, por këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.

“Na thanë herën e fundit se do t’ju mbështesin, por nuk sollën mjetë në datën 14 qershor. Vendimi është për të prishur dy katet e sipërme pa leje, po s’kemi mjete. Ligji e përcakton që, nëse Përmbarimi nuk gjen mjete, apo nëse IKMT-ja apo IMT-ja nuk na mbështet, subjekti kërkues e gjen vetë. Por as Xhaviti nuk e gjen dhe kemi ngelur në këtë fazë. Askush nga privatët nuk vjen për të prishur një ndërtim. Nëse edhe herën tjetër nuk vjen IMT-ja apo IKMT-ja ne do t’i bëjmë kallëzim penal” thotë kreu i Përmbarimit.

Gazetarët i bëjnë me dije se Xhaviti s’ka ku e gjen mjetin, pasi vetëm një pension 130 mijë lekë të vjetra merr. Na thotë se do të caktojmë një datë tjetër dhe shpreson që vendimi të zbatohet. Pranon se ka shumë vite, ndërsa thotë se në një moment u pezullua pasi kishte një marrëveshje mes Xhavitit dhe komshiut. Por në fund, ata nuk gjetën zgjidhje dhe Përmbarimi rifilloi ekzekutimin. “Do caktojmë datë tjetër” përfundon kreu i Përmbarimit.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel