Tragjedi në jug të Kalamatës! Mbytet peshkarexha, raportohen 78 të vdekur deri tani dhe 104 të shpëtuar

14/06/2023 10:44

Mbytja e një peshkarexhe në Kalamata të Greqisë është kthyer në tragjedi pasi deri më tani raportohen 78 të vdekur në ujërat e detit Mesdhe.

Fillimisht u raportua për 17 të vdekur por numri është rritur vazhdimisht, ndërsa janë shpëtuar deri tani 104 emigrantë klandestinë.

Sipas rojës bregdetare greke, peshkarexha e nisur nga Libia me destinacion Italinë, u batua dhe në vazhdim u mbyt në ujërat ndërkombëtare që ndajnë Greqinë me Italinë, 47 milje në jug të gadishullit të Peleponezit në zonën më jugore të tij, Pilos.

Peshkarexha ishte në kërkim që prej të paktën tre ditësh nga Italia por edhe nga një shoqatë e emigrantëve.

Sinjali SOS u dërgua në numrin 112 dhe ishte pala italiane që njoftoi palën greke për avarinë e peshkarexhës. Meqë ishin ujëra ndërkombëtare, greket paralajmëruan anijet që kalonin në zonë të bëjnë kujdes dhe nisen në zonë një motovedetë si dhe helikopterë shpëtimi. Herët në mëngjes peshkarexha u mbyt.

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të tjerëve ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave që ndodheshin në peshkarexhën e mbytur.

Në zonë po mbërrijnë edhe anije të tjera ndihmëse si dhe një fregatë e marinës greke.

Mësohet se fillimisht kapiteni i peshkarexhës kishte refuzuar të kërkonte ndihmë prej rojës bregdetare greke.

Të shpëtuarit do të dërgohen në portin e Kalamatës ku do t’ju ofrohet ndihma e parë, ndërsa autoritetet janë mobilizuar tashmë.

FOTO GALERI
16/16

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA