Tensione me djalin 20-vjeçar? Melania Trump rrëfen detaje të rralla për marrëdhënien e tyre: Ndonjëherë është i lumtur që unë të merrem me punët e mia
Një zbulim arkeologjik i rrallë dhe veçanërisht prekës është bërë gjatë gërmimeve në zonën e Sipontos, pranë Manfredonias, në provincën e Foggias, ku arkeologët kanë zbuluar një varrezë mesjetare që daton nga shekujt XII–XIII.
Brenda një strukture murature rreth 30 metra të gjatë janë zbuluar rreth 30 varrime, ku shumica e individëve duket se kanë qenë të rritur. Mes tyre ndodhet edhe një varr i veçantë: skeleti i një gruaje, rreth 30–40 vjeç, e cila duket se e kishte mbajtur të shtrënguar në krah fëmijën e saj të vogël.
Sipas arkeologëve, fëmija besohet të ketë qenë rreth 4–5 vjeç. Pozicioni i eshtrave sugjeron se nëna e kishte përqafuar me krahun e djathtë, duke krijuar një skenë që ka mbijetuar për rreth tetë shekuj.
Zbulimi u bë publik nga ArcheoSipontum, ndërsa arkeologu Giuliano Volpe, profesor në Universitetin e Barit, tha se identifikimi i saktë i moshës dhe gjinisë së fëmijës do të përcaktohet pas analizave antropologjike dhe studimit të eshtrave.
“Do të kryejmë analiza të hollësishme mbi eshtrat dhe studime antropologjike për të përcaktuar me saktësi datimin dhe, mbi të gjitha, për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një djalë apo një vajzë”, tha Volpe.
Gërmimet kanë nisur rreth tre javë më parë në zonën e portit antik të Sipontos dhe po zhvillohen nga studiues të universiteteve të Barit dhe Foggias, së bashku me studentë të tyre. Në ekspeditë marrin pjesë edhe nxënës të liceut “Scacchi” të Barit, në kuadër të aktiviteteve të praktikës.
Arkeologët do të vijojnë punën në terren për të zbuluar nëse pranë varrezës ka pasur edhe një ndërtesë kulti. Për momentin, studiuesit po shqyrtojnë disa hipoteza mbi funksionin e strukturës dhe rrethanat në të cilat u krijua varreza.
Zbulimi pritet të marrë rëndësi të veçantë për studimin e jetës dhe riteve mortore në Siponton mesjetare, ndërsa analiza e eshtrave mund të japë të dhëna të reja për identitetin dhe historinë e kësaj nëne dhe fëmijës së saj.
Top Channel