A vrau Hitleri me duart e veta mbesën e tij? Zbulimi i ri rihap misterin e vdekjes së Geli Raubal

25/09/2026 15:34

Një zbulim i ri nga një historian gjerman ka rihapur misterin e vdekjes së Geli Raubal, mbesës 23-vjeçare të Adolf Hitlerit, e cila u gjet e vdekur në apartamentin e tij në Mynih në shtator të vitit 1931.

Raubal, vajza e motrës së gjysmëvëllait të Hitlerit, u gjet e vrarë me armë zjarri dhe pranë trupit të saj u zbulua pistoleta e vetë Hitlerit. Në atë kohë, vdekja u konsiderua vetëvrasje, ndërsa Hitleri ndodhej në Nuremberg.

Por historiani gjerman, Harald Sandner, pretendon se ka gjetur dokumente zyrtare që mund të ndryshojnë kronologjinë e ngjarjes. Sipas tij, trupi i Raubal mund të jetë zbuluar më 18 shtator, një ditë më herët nga data e pranuar deri tani. Kjo do të nënkuptonte se Hitleri mund të ketë qenë ende në Mynih në kohën kur ajo ndërroi jetë.

“Një masë dëshmish” të reja, sipas Sandner, sugjeron se vdekja mund të ketë ndodhur gjatë orëve të para të 18 shtatorit ose edhe një natë më parë.

Teoria ka ushqyer edhe më tej spekulimet e vjetra për marrëdhënien mes Hitlerit dhe Raubal. Për vite me radhë janë hedhur pretendime se mes tyre mund të kishte ekzistuar një marrëdhënie intime, ndërsa një debat i ashpër thuhet se kishte ndodhur pak para vdekjes së saj.

Nëse teoria e Sandner do të vërtetohej dhe Raubal do të ishte vrarë nga Hitleri, ajo mund të konsiderohej personi i vetëm që diktatori nazist njihet se e ka vrarë me duart e veta.

Megjithatë, jo të gjithë historianët pajtohen me këtë version. Historiani Guy Walters e ka kundërshtuar teorinë, duke argumentuar se ndryshimi në datën e regjistruar mund të jetë thjesht rezultat i një gabimi gjatë transkriptimit të dokumenteve.

Walters gjithashtu shprehet skeptik ndaj pretendimeve se Hitleri dhe Raubal kishin një marrëdhënie seksuale, duke theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë.

Për këtë arsye, misteri i vdekjes së Geli Raubal mbetet i hapur: njëra teori flet për vetëvrasje, ndërsa një tjetër ngre dyshimin se pas vdekjes së saj mund të fshihet vetë Adolf Hitler.

Top Channel