Në një seancë solemne në zyrat lokale në fshatin Çabër të Zubin Potokut u betua kryetari i ri i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari premtoi se do të punojë drejt, ndershëm dhe në mënyrë të paanshme për të gjithë qytetarët e kësaj komune pa dallim.
Pas betimit, ai tha se do të plotësojnë kërkesat e të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre nga komuniteti serb.
“Uroj që neve tani e tutje të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë duke i ofruar qytetarëve të komunës së Zubin Potokut pas asnjë dallim të gjitha shërbimet, t’i plotësojmë kërkesat e të gjithë qytetarëve duke përfshirë sidomos komunitetin shumicë serb. Uroj të jemi bashkë, të jemi unik në punët dhe përgjegjësitë tona të përditshme që do t’i kemi të jemi sa më të fokusuar ta zbatojmë ligjin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e Komunës së Zubin Potokut”.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Sllavisha Bishevac nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun, ka dhënë dorëheqje para dy javësh nga pozita e tij në këtë Komunë, me qëllim të “parandalimit në mënyrë demokratike” të marrjes së detyrës nga kryetari i zgjedhur, Izmir Zeqiri.
Zeqiri është kryetari i dytë që u betua pas zgjedhjeve të 23 prillit të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, pas betimit të kryetarit të veriut të Mitrovicës, Erden Atiç.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Top Channel