Kanosi me armë zjarri 33-vjeçarin dhe përplasi qëllimisht automjetin e tij, arrestohet 22-vjeçari në Tiranë, i sekuestrohet “Range”

15/04/2026 16:01

Policia e Tiranës ka arrestuar një 22-vjeçar, pasi ka kanosur dhe dhunuar një 33-vjeçar.

Policia sqaron se pas njoftimit për një konflikt në lagjen “Bathore”, ndërmjet disa shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan në vendngjarje, për të identifikuar shtetasit përgjegjës dhe për të sqaruar rrethanat.

Si rezultat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit A. E., 22 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, fillimisht, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin që drejtonte shtetasi B. J., 33 vjeç.

Gjithashtu, 22-vjeçari, dyshohet se me qëllim kanosjen e shtetasit B. J., ka qëlluar në ajër, me armë zjarri, dhe më pas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, e ka goditur me grushte.

Automjeti tip “Range Rover” i 22-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Vijojnë kërkimet për gjetjen e armës që dyshohet se ka përdorur i arrestuari, si dhe vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel