BBC do të shkurtojë deri në 2,000 vende pune, shkurtimi më i madh i stafit që nga viti 2011

15/04/2026 16:16

BBC do të shkurtojë deri në 2,000 vende pune në një nga ristrukturimet më të mëdha për transmetuesin publik britanik në një dekadë.

Punonjësve iu bë e ditur për ndryshimet në një takim të përgjithshëm të stafit të mërkurën, me shkurtimet që prekin rreth 10% të 21,500 stafit të organizatës. Shkurtimet vijnë përpara emërimit të ish-ekzekutivit të Google, Matt Brittin, si drejtor ekzekutiv muajin e ardhshëm. Ky është shkurtimi më i madh i vendeve të punës që nga viti 2011.

Në shkurt, BBC njoftoi një plan për uljen e kostove prej 600 milionë paundësh, duke paralajmëruar se kjo do të çonte në humbje vendesh pune dhe ndërprerje të disa programeve.

Drejtori i përgjithshëm në largim, Tim Davey, tha në atë kohë se organizata do të duhej të ulte kostot e saj vjetore operative, të cilat janë rreth 6 miliardë paund, me 10% gjatë tre viteve të ardhshme. Davey u largua nga BBC më 2 prill, pasi njoftoi dorëheqjen e tij në nëntor pas një reagimi negativ për mbulimin e çështjeve që përfshinin Donald Trump, Gazën dhe të drejtat transgjinore.

Drejtori i përgjithshëm i përkohshëm, Rhodri Talfan Davies, i cili po kryeson takimin e përgjithshëm të stafit, do të mbetet në krye deri në mbërritjen e Britten më 18 maj.

BBC është gjithashtu në bisedime me qeverinë për të rinovuar kartën e saj mbretërore, e cila skadon në fund të vitit të ardhshëm, duke përfshirë mekanizmin e saj të financimit përmes tarifës së licencës.

Tarifa e licencës u rrit më 1 prill, në përputhje me inflacionin, nga 174.50 paund në 180 paund në vit. BBC mblodhi 3.8 miliardë paund nga kjo tarifë vitin e kaluar nga 23.8 milionë familje, me 2 miliardë paund të tjera që vijnë nga aktivitetet tregtare dhe grantet.

Megjithatë, numri i familjeve që paguajnë tarifën e licencës ka rënë me 300,000 nga viti në vit, ndërsa shmangia e pagesave rritet dhe më shumë shikues kalojnë ekskluzivisht në platforma dixhitale konkurruese si Netflix dhe Disney. Në shkurt, Davie tha se BBC po “qëndronte në këmbë” pavarësisht sfidave të paraqitura nga rritja e shërbimeve të transmetimit dhe ndikimi i YouTube.

Vitin e kaluar, Ofcom, rregullatori i medias, paralajmëroi se televizioni i shërbimit publik, i cili përfshin BBC, ITV dhe Kanalet 4 dhe 5, po bëhej një “specie në rrezik zhdukjeje” në epokën e rritjes së shpejtë të transmetimit.

Top Channel